‘Komandantja’ e LVV-së, Dejona Mihali, pa pozitë shtetërore mbikëqyrë Xhelal Sveçlën në vizita zyrtare në veri

Dejona Mihali, e njohur në publik edhe si “Masha e Kurtit”, pa kurrfarë pozite zyrtare në Republikën e Kosovës, është parë nëpër vizita zyrtare në zonën veriore të vendit, bashkë me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Mihali, e cila dikur nuk lejohej të futej në territorin e Republikës së Kosovës, sot falë pushtetit të LVV-së edhe po e mbikëqyr atë, shkruan Demokracia.com.

Në fotografitë e Sveçlës që i kishte ngarkuar në ‘Facebook’-un e tij më 28 nëntor është parë Sveçla e Bislimi në stacionin policor në veri të vendit, bashkë me  Mihalin. Për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, Sveçla, Mihali e Bislimi iu shkonin me fli zyrtarëve policorë në veri.

“Me fli të përgatitur nga një nënë nga Llapi e një vajzë nga Istogu, u bashkuam rreth sofrës për të festuar bashkë festën e 28 Nëntorit me zyrtarë policor të cilët me vullnet, profesionalizëm e përkushtim po kryejnë detyrat e tyre në veri të vendit tonë”, shkruante Sveçla në postimin e tij, ku në dy nga tri fotografitë shihej Mihali.

Mihali nuk gëzon kurrfarë pozite shtetërore në asnjë institucion të Republikës së Kosovës, përveç asaj të Koordinatores së Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo dëshmohet me anë të një navigimi të thjeshtë nëpër uebfaqet e institucioneve përkatëse, tek personeli i tyre.

Koordinatorja e VV-së nga Shqipëria, e cila nënshtetësinë kosovare e fitoi vitin e kaluar përbrenda një muaji falë presidentes Vjosa Osmani, është akuzuar për kontroll të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Këtë akuzë e ka bërë vetë një deputet i VV-së, Haki Abazi.

“Nga shkurti i vitit të kaluar, kam depozituar kërkesën për formimin e komisionit hetimor për privatizim. Është bllokuar nga Dejona Mihali. Arsyeja pse po e përmendi me emër është sepse është dora, është masha e kontrollit të grupit parlamentar, duke mbivendosur mbi vullnetin e secilit deputetë, e cila vije pa asnjë legjitimitet në Lëvizjen Vetëvendosje. Zonja Mihali nuk ka qenë pjesë e votimit, pjesë e listës së deputetëve, nuk ka qenë në garën e brendshme në LVV, por është njeriu kryesor e cila kontrollon dhe menaxhon me grupin parlamentar dhe vendimmarjen që bëhet aty”, deklaroi Abazi.