Pasi paralajmëroi barrkiada në Veri – Komandanti i KFOR-it takon Rakiqin

Komandanti i KFOR-it gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, u takua me Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe dhe kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës, me të cilët ka diskutuar mbi situatën e përgjithshme dhe aspektet e sigurisë në veri të Kosovës.

Ristuccia e informoi Rakiq dhe përfaqësuesit e komunave për aktivitetet dhe përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të parandaluar ndonjë përshkallëzim në të ardhmen.

Gjenerali italian siguroi kryetarët e komunave se KFOR-i po monitoron nga afër situatën, veçanërisht në veri të Kosovës dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet.

Ristuccia u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet e njëanshme, të ruajnë përmbajtjen, të përmbahen nga dhuna dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog.

KFOR-i mbetet i paanshëm dhe i përkushtuar për të ofruar kornizën e sigurisë në të cilën mund të vazhdojë dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Ndryshe, takimi i sotëm vjen pasi Prishtina zyrtare ka vendosur 31 tetorin si afatin e fundit për konvertimin e targave ilegale serbe në ato RKS, duke thënë se nuk do të ketë më shtyrje të reja.