Ish-shefi i shtabit të ushtrisë britanike, Sir Patrick Sanders, i cili e mbajti këtë post deri në muajin e kaluar, tha se bota po përballet me një luftë të mundshme të tretë botërore.

Ai paralajmëroi anëtarët e NATO-s se bota po përballet me “momentin më të rrezikshëm që nga viti 1945” dhe u bëri thirrje anëtarëve të investojnë më shumë në armatim, transmeton Ballkani.info.

Ai tha për Times se Rusia, Kina dhe Irani ishin “fuqitë e reja të Boshtit” dhe një luftë e tretë botërore mund të shpërthejë në pesë vitet e ardhshme nëse nuk bëhej asgjë.

Ai pretendon se këto vende përfaqësojnë një kërcënim më të madh se nazistët në vitin 1939.

“Ato janë më të ndërvarura dhe më të koordinuara se sa ishin fuqitë fillestare të Boshtit”, tha ai.

Por një ekspert ushtarak tha se nuk kishte nevojë për një konflikt nëse anëtarët e NATO-s, përfshirë Britaninë, përmirësonin ndjeshëm armatimin e tyre.

“Shumica e vlerësimeve do t’ju tregojnë se ne kemi diku midis pesë dhe 10 vjet përpara se Rusia të rikapitalizohet dhe mund të përbëjë kërcënimin që kishte para luftës në Ukrainë”, tha Sir Patrick Sanders. /Ballkani.info/