Komandant Giqa thotë se po iu bëhet presion votuesve në Junik

Njëri nga ish drejtuesit e UÇK-së në Junik, Muharrem Knushi i njohur si Giqa, e ka publikuar një mesazh telefonik ku pretendon se po iu bëhet presion votuesve të Junikut për balotazhin e 14 nëntorit.

“Besoj se e keni kaluar çdo limit të moralit njerëzor dhe kuptimit ligjor. Presionet dhe shantazhet sa vijnë dhe rriten kur po afrohet e diela e 14 nëntorit. Organeve të rendit ju bëj thirrje që të përcjellin me shumë kujdes fushatën elektorale nga AAK në Junik”, shkruan Giqa.

Ai e ka publikuar edhe sms-in, i cili sipas tij, dëshmon për presionin që po bëhet në Junik.

“Të bashkangjitur me këtë postim e gjeni një sms i cili dëshmon këtë presion që Deçani po ja bën Junikut. Nuk e di pse e keni kaq të vështirë për të kuptuar se për Junikun vendosin vet junikasit. Vendimi i tyre është fitorja e Ruzhdi Shehut me 14 nëntor 2021. Ju vazhdoni me shqelmat tuaj të fundit mirëpo junikasit po vëzhgojnë me durim çdo presion që ju po e bëni. Me 14 nëntor, secili do të gjykohet ashtu siç e meriton. Urime fitorja kryetar Ruzhdi Shehu. Urime çlirimi për Junikun tonë të dashur”, ka shkruar ai.

Ruzhdi Shehu i LDK-së të dielën në balotazh përballet me Agron Kuçin e AAK-së.