Zgjedhjet në Serbi

Kolonë e gjatë në Jarinjë

Në pikën kufitare në Jarinjë, është raportuar për kolona të gjata.

Banorët serbë të Kosovës vazhdojnë të udhëtojnë drejt Serbisë për të votuar për zgjedhjet që organizohen atje, këtë të diel.

Kështu raporton ekipi i RTV Dukagjinit, i cili po qëndron në këtë pikë kufitare.

Serbët do ta bëjnë këtë rrugë për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre, pasi procesi zgjedhor nuk do të zhvillohet në Kosovë, në krahasim me vite më parë.

Ata do të votojnë në katër qytete në jug të Serbisë – në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

Ata janë organizuar kësisoj edhe në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, të 3 prillit të vitit 2022.

Serbia po mban të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.

Të drejtë vote kanë rreth 6.5 milionë banorë, të cilët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre prej orës 07:00 deri në 20:00.

Të hapura janë 8.273 qendra votimi.

VIDEO BONUS: Brezovica me pamje fantastike sot