Kololli shënon e asiston në ndeshjen e fundit të sezonit

Reprezentuesi i Kosovës, Benjamin Kololli, ka shënuar e ka asistuar në ndeshjen e fundit të kampionatit zviceran.

Të premten në mbrëmje, skuadra e tij Zuerichu mposhti në shtëpi Vaduzin me rezultatin 4:1.

Kjo humbje e Vaduzit ka bërë që në edicionin tjetër të bëj gara në “Challenge League” një rang më poshtë në futbollin zviceran.

Kololli golin e shënoi 20 minuta para fundit. Ishte goli i tij i gjashtë në 21 ndeshje në Superligën e Zvicrës këtë edicion, ndërsa asistimin e gjashtë sezonal e bëri në minutën e 74-rt kur shënoi sulmuesi Degnand Wilfried Gnonto.

Kololli u zëvendësua nga Hekuran Kryeziu në minutën e 82-të, ndërsa ndeshjen e kompletuan Fidan Aliti e Lindrit Kamberi.

Zuerichu e mbyll garën në elitën e futbollit zviceran këtë sezon në vendin e tetë me 43 pikë.