Kollçaku: Sot në Kuvend po jepet shfaqja “Si të grabitet pushteti”

Nënkryetarja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se sot në Kuvendin e Kosovës është shfaqja me titull “Si të grabitet pushteti”.

Mulhaxha-Kollçaku përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se përmbysja e demokracisë nuk lejohet dhe si dëshmi këto ditë qytetarët po deponojnë nënshkrimet në peticionin gjithëpopullor me moton “Duam Zgjedhje”.

Postimi i plotë:

Sot, Teatri & Kuvendi i Republikës së Kosovës ka në repertor shfaqjen me titull “Si të grabitet pushteti” me aktorët e etshëm për pushtet pa marrë parasysh vullnetin qytetar. Për më tepër, me aktorë të mirënjohur dhe të shpenzuar ndër vite duke vrapuar pas realizimit të politikave të interesave personale, grupore e klanore, me qëllim të pasurimit dhe në dëm të qytetarëve dhe shtetit edhe ashtu të varfër.
Ajo çfarë duan, e që është edhe më e pranueshmja, është tendenca që të na rrëmbejnë të ardhmen e ndritshme dhe të na kthejnë në të kaluarën e errët korruptive.
Përmbysja e demokracisë nuk lejohet dhe si dëshmi këto ditë qytetarët po deponojnë nënshkrimet në peticionin gjithëpopullor me moton “Duam Zgjedhje”!
Ne nuk mundemi edhe po të donim të lejojmë krijimin e precedentëve të rrezikshëm që humbin kuptimin e mbajtjes së zgjedhjeve, si mjeti më demokratik i shprehjes së vullnetit popullor.