Kollçaku: Presidenti po i vonon proceset, Kuvendi duhet të shpërbëhet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se këtë javë do të nisë konsultimet me drejtuesit e subjekteve politike në vend, gati dy javë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale.

Megjithatë, para takimit me të parin e shtetit zyrtarët e partive politike thonë se të do të diskutojnë vetëm për datën e zgjedhjeve të parakohshme në vend, por jo për një mandatar të ri për udhëheqjen e Qeverisë, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt.

Opozita po dyshon se presidenti Hashim Thaçi bashkë me ish-partiakët e tij (PDK) po synojnë ta gjejnë një mandatar të ri për ta udhëhequr Qeverinë, për ta shmangur shkuarjen e Kosovës në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi që, siç thonë ata, zgjedhjet nuk po i konvenojnë PDK-së.

“Ne marrim pjesë në atë takim vetëm nëse do të bëhet fjalë për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja. Nëse ne e shohim që dikush ka çfarëdo tendence për ta shtyrë këtë çështje, ose nëse ka ofertë për opsione tjera, ajo është e papranueshme për ne. Secili duhet ta luajë rolin e tij kushtetues, ashtu edhe presidenti”, ka thënë për “Zërin” deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, duke shtuar se presidenti është duke i vonuar proceset sa i përket shkuarjes së vendit në zgjedhje.

Po ashtu ajo ka theksuar se tashmë duhet të bëhet edhe shpërndarja e Kuvendit.

“Dihet që kryeministri ka dhënë dorëheqje, vendi është para një situate ku vetëm zgjedhjet e reja mund t’ia kthejnë legjitimitetin Qeverisë. Ne mendojmë që presidenti është duke i vonuar proceset dhe jemi për atë që të bëhet shpërndarja e Kuvendit”, ka thënë ajo.

loading…