Kolegë gazetarë – mos e proklamoni regresin si arritje

Si një kolege e shumë prej gazetarëve, si një njeri që të padrejtën nuk mundem me hesht e as me duru, po ju drejtohem mediave me një lutje: Mos e proklamoni si arritje të kësaj qeverie draft-ligjin për pushim të lehonisë, pasi, nuk është i tillë.

Nëse zyrtarëve iu takon me i mbrojt politikat e ministrisë, mediave iu takon me hulumtu pak më thellë secilën çështje. Në rastin konkret, Qeveria, kur ka buxhet për luks, për dreka, udhëtime, e lloj-lloj shpenzime të paarsyeshme, është dashtë që, nëse e merr përsipër të paguajë 6 muaj të këtij pushimi, ta bëjë me 70 për qind të pagës bazë, e jo 50 për qind të pagës mesatare në Kosovë. D.m.th., në rastin konkret, ka REGRES. Pse?!

Sepse, aktualisht pushimi i lehonisë është i rregulluar kështu;

6 muajt e parë – punëdhënësi paguan 70 për qind të pagës bazë të punonjësit

3 muaj të tjerë – Qeveria paguan 50 për qind të pagës mesatare në Kosovë
3 muaj të tjerë – janë pa pagesë.

Ndryshimet e propozuara janë:

3 muajt e parë – punëdhënësi paguan 70 për qind të pagës bazë të punonjësit
6 muaj të tjerë – Qeveria paguan 50 për qind të pagës mesatare në Kosovë
3 muaj të tjerë – janë pa pagesë.

Pra, një çift i ri, apo një nënë e re, nëse e ka një fëmijë, dhe është paguar për 6 muaj me 70 për qind të pagës së saj bazë, në rast se tani me këto ndryshime (nëse miratohet Ligji në Kuvend) lind fëmijën e dytë, do të marrë vetëm 3 muajt e parë 70 për qind të pagës së saj. Pastaj 6 muaj do të marrë vetëm 50 për qind te pagës mesatare në Kosovë.

Sapo kërkova në bankë të dhënat për 3 muaj pushim lehonie, që Qeveria ka paguar, kur kam lindur vajzën e dytë. Janë fiks 223 euro pagë. Kjo i bie se më këto ndryshime, për tre muaj që Qeveria ka vendosur t’ua ‘lehtësojë’ barrën bizneseve, nëna lehonë (me një pagë mesatare në Kosovë, apo koeficient 7.5) dhe fëmija i saj, të dëmtohen për tre muaj 477 euro, apo 159 euro për secilin muaj.

Qeveria nuk e ka shqyrtuar mundësinë që, të paktën këta tre muaj, t’i lërë njësoj – 70 për qind e pagës bazë, pasi, kalkulimi i tyre nuk përfshinë mirëqenien e bebes; çfarë nevoja ka një bebe e porsalindur, sa kushton qumështi për lehonat që nuk janë nëna gjidhënëse, sa kushtojnë pelenat; ushqimet e shëndetshme…
Përmenden mundësi të reja për aftësime profesionale për nënat, ndërkohë që Kosova vlon nga të papunët e arsimuar…
E dhimbshme dhe e pafalshme…