Kokaj: Shumë pak më kuptojnë në Komisionin e Shkencës dhe Inovacionit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, thotë se duhet të ringjallet interesimi i qytetarëve për shkencë.

Në ndërkohë, Kokaj që është edhe doktor i Shkencave të Fizikës ka treguar në Info Magazine të Klan Kosovës arsyet se pse hyri në politikë.

“Duhet të ngjallet kureshtja dhe interesimi i njerëzve që të japin edhe kontribut material – mirëpo, kontributi për shkencë dhe hulumtime këtu [në Kosovë] është zero. Prezenca ime në politikë është që të kem një fuqi politike që të bind njerëzit që të japin investime për të rritur numrin e hulumtimeve rreth shkencës”.

Kokaj, që kërkon më shumë interesim për shkencë te qytetarët, thotë se shumë pak kuptohet nga kolegët e tij në Komisionin Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Inovacion.

“Unë bëj pjesë në Komisionin për Arsim, Shkencë dhe Inovacion dhe uluroj vazhdimisht për gjërat që po flas këtu rreth shkencës, pasi shumë pak më kuptojnë njerëzit aty pasi ka munguar një interesim për shkencën dhe teknologjinë – kjo është edhe arsyeja pse në PISA dalim kaq dobët”.

“Për shumë kohë ka munguar tretmani bashkëkohor i transmetimit të informacioneve tek nxënësit në mënyrë kreative që të ngjallet kreativiteti tek fëmijët”.

Kokaj mes tjerash kërkoi që shkollat fillore dhe të mesme të pajisen me laboratore shkencore.