KOHA: Kosova dhe Serbia do t’ia njohin integritetin territorial dhe sovranitetin njëra-tjetrës

Mediumi i afërt me Qeverinë ka publikuar një letër, që thotë se i ka shkuar në redaksi. Kjo duket se do t’ia lehtësojë Kryeministrit Kurti rrugën për takimin me Vuciqin, që është caktuar pas disa ditëve.

Kjo vjen pas njoftimit se Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi, si dhe zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, do të pritet nga diplomatë të BE’së në Bruksel. Një gjë të tillë e ka bërë me dijë zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Kryeministri Kurti udhëton nesër në Bruksel, bashkë me zëvendëskryeminstrin Bislimi dhe zëvendëskryeministren Gërvalla, për takime bilaterale me krerët e institucioneve të BE-së dhe me kreun e qeverisë belge”, thuhet në njoftimin e tij.

Përcaktimin e 11 majit si datë për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i njëjti e ka konsideruar si të njëanshme, duke thënë se Kosova nuk ka marrë ndonjë ftesë të tillë.

“Zyra e Kryeministrit nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim mes Kosovës e Serbisë më 11 maj. Ndoshta, kjo mund të ketë qenë ideja apo edhe dakordimi me Beogradin, por jo me neve”, deklaroi tutje ai.

Në dokumentin që iu është dërguar në redaksi mediumit të afërt me qeverinë, pretendohet se dokumenti është “non-paper” i përgatitur nga Gjermania dhe Franca, “si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale”.

Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i BE’së, ka njoftuar përgjatë së hënës se 11 maji do jetë dita kur Kurti e Vuçiq do takohen për të diskutuar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.