Koalicioni me AAK-në, front i ri i konfliktit të PSD-së me Vetëvendosjen

Marrëveshja për koalicion me AAK-në, ka krijuar një shteg të ri të konfliktit mes PSD-së dhe Vetëvendosjes.

Ndonëse në vazhdimësi, që pas ndarjes, ka pasur akuza kundrejt deputetëve të të dyja partive, ky koalicion ka hapur rrugë të re për ‘luftë’ me deklarata.

Sekt, klikë e partiçkë, janë vetëm disa nga emrat të cilët ata ia kanë vendosur njëri-tjetrit, duke u quajtur të gjunjëzuar e të poshtëruar, njëri ndaj AAK-së e tjetri ndaj LDK-së.

Pas koalicionit me AAK-në, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se PSD-ja e pranoi publikisht poshtërimin dhe tradhtinë ndaj VV-së.

Ajo ka thënë se koalicioni mes tyre e ka vërtetuar konstatimin e Vetëvendosjes se PSD ka qenë gjithmonë në pushtet dhe se ata i kanë dhënë mbështetje PAN-it sa herë që i janë ligështuar këmbët.

Haxhiu ka thënë se me këtë koalicion ata kanë treguar se askush tjetër nuk pranonte t’i fuste në koalicion, pa i poshtëruar paraprakisht.

“Klika pranoi se është më e vogël se 1/4 e AAK. E meqenëse AAK është diku 12%, i bie se klika janë më pak se 3%. Sondazhet paskan qenë të sakta. Tash haptazi ata e pranuan se në çfarë momenti të vështirë ndodhen kur askush tjetër nuk pranonte t’i fuste në listat e veta pa i poshtëruar paraprakisht”, ka shkruar ajo.

E të menjëhershme kanë qenë reagimet e deputetëve të PSD-së.

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka shkruar se pas koalicionit me AAK-në, Vetëvendosja nga frika e fitores së tyre dhe nga xhelozia se asnjë parti e madhe nuk i merr në koalicion, i ka aktivizuar strukturat linçuese për t’i sulmuar.

Ai thotë se populistët që sot flasin për ”parime” kundër koalicionit me AAK-në, janë po të njëjtit që në vitin 2015 u futën në koalicionin VLAN dhe e pranuan Haradinajn si kandidat për kryeministër.

Sipas tij, dallimi mes tyre dhe Vetëvendosjes, është se ata i gjunjëzohen Isa Mustafës për koalicion kryekëput për interesa personale, ndërkaq PSD lidhi koalicion me AAK-në për t’i shtyrë përpara politikat për shtetndërtimin e Kosovës.

Ai thotë se PSD nuk ka faj që Vetëvendosja do të mbetet e vetmuar duke shtuar se nuk mund t’i shërojnë nga xhelozia.

Ndërkaq bashkëpartiaku i Molliqajt, Frashër Krasniqi, ka thënë se sekti VV-së rrezikon edhe vendin e tretë, ndërsa shton se partia e tij e ka të sigurt fitoren dhe krijimin e qeverisë ardhshme.

Ai shton se me Ramush Haradinajn, e krijuan Ushtrinë, i ndalën pazaret e Thaçit me territorin e Kosovës dhe e defaktorizuan Listën Serbe.

Kujtojmë se sot gjatë ditës PSD dhe AAK kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion, ku bartës i listës do të jetë Ramush Haradinaj.

loading…