Protesta

KMDLNj-ja e vlerëson “jo të dhunshme” protestën e PSD-së: Policia përdori forcë joproporcionale

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka vlerësuar se protesta e Partisë Socialdemokrate të mërkurën kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ishte jo e dhunshme dhe e drejtë. Ndërsa kanë kërkuar nga Inspektorati Policor të hetojë në zyrtarët policorë kanë tejkaluar përgjegjësitë e tyre gjatë përplasjes me aktivistët.

Protesta e PSD-së kundër Trendafilovas përfundoi me arrestimin e gjashtë aktivistëve të kësaj partie. U hodh gaz lotsjellës.

Sipas KMDLNj-së, Policia ka përdorur forcë joproporcionale për t’u përballur me protestuesit.

“KMDLNj-a ka monitoruar protestën e organizuar nga PSD – ë kundër vizites së kryetares së Gjykatës Raciste Speciale, Ekaterina Trandafilova ne Prishtinë përkatësisht takimit në hotelin me një pjesë të përzgjedhur të shoqërisë civile. Jashtë hotelit ishin policë të Kosovës ndërsa brenda hotelit kishte policë specialë të uniformuar dhe të veshur si civilë. Ishin të pranishëm shumë media. Udhëheqës të veteranëve të UÇK- së u prononcuan para mediave sikur që e bënë edhe udhëheqës të PSD -së. Kur aktivistë të PSD -së hodhën tymyes, policia e Kosovës intervenoi duke arrestuar së paku 5 aktivistë të PSD -së ndaj të cilëve u përdorë një fircë joproporcionale, për KMDLNJ- ën krejtësisht e panevojshme. Në rrëmujën e krijuar është alivanosur gazetari i portalit Arbresh .info. KMDLNj – ë kërkon nga Inspektorati Policor i Kosovës të bëjë hetime nëse janë tejkaluar përgjegjësitë me të cilat është pajisur Policia me rastin e menaxhimit të protestave”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Kjo organizatë ka konsideruar se vizita e Trendafilovas në Kosovë nuk mund të konsiderohet diçka tjetër përveçse provokim.

“Protesta e PSD -së është e drejtë dhe kjo është e rregulluar me ligj. Protesta, në të njëjtën kohë është e drejtë e njeriut në çdo vend demokratik. Në kohën kur qytetarëve të Kosovës që po mbahen peng në Burgun e Gjykatës Soeciale Raciste në Hagë po iu mohohen të drejtat elementare të njeriut, vizita e kryetares së kësaj Gjykate në Prishtinë nuk mund të konsiderohet ndryshe përveç se provokim dhe veprim në kundërshtim me standardet minimale profesionale dhe morale. KMDLNj ka qenë fuqishëm kundër kësaj vizite”, vijon reagimi i tyre.