'Klyshi i Vuçiqit'

“Klyshi i Vuçiqit” i reagon Ramës, vazhdon me fyerje çetnike ndaj shqiptarëve duke i quajtur ‘shiptari’

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka vazhduar të fyejë shqiptarët. Kësaj here ka zgjedhur që fyerjet t’i adresojë përmes faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.

Vulin u është referuar shqiptarëve me termin fyes “Shiptari”, teksa i është kundërpërgjigjur kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në kritikën që e dha sot për të.

Rama, të shtunën përmes Twitterit reagoi duke thënë se uron që të jetë shaka ajo që tha Vulini pas mbledhjes së qeverive të Kosovës e Shqipërisë të premten në Tiranë. Vulin, ndër të tjera kishte thënë se serbët duhet të bashkohen në një shtet si kundërpërgjigje për Shqipërinë e madhe, që sipas tij po krijohet nga Rama.

Po ashtu, bëri edhe fyerje.

Kësaj here, Vulin ka shkuar më larg me fyerje.

“Nëse Edi Rama do të kishte tru, nuk do të tentonte të krijonte ‘Shqipërinë e madhe’, të kishte mend nuk do të fotografohej pranë flamurit të ‘Shqipërisë së madhe’, e nëse do të kujdesej për qetësinë në rajon nuk do të lavdëronte vrasësit nga e ashtuquajtura UÇK dhe të tentonte të formonte qeverinë në Mal të Zi. Po të kishte fytyrë, Rama nuk do të tentonte që në librat zyrtarë që i shtyp qeveria e tij t’i paraqiste manastiret serbe në Kosovë si trashëgimi të popullit të tij. Vetëm në botën e Twitterit dhe të memeve, Rama që më shumë e mbajmë mend për çorapet sesa për idetë, mund të ndajë leksione. Shqiptarët janë popull i ndershëm që ka dhënë Esat Pashë Toptanin dhe asnjëherë nuk do ta krahasoja me Ramën”, ka thënë Vulin, përcjell faqja zyrtare e ministrisë që ai drejton.

Të premten, fyerje të adresë të shqiptarëve dhe kërcënim në adresë të vet serbëve bëri edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq. Ai kërcënoi serbët, duke thënë “se çfarë të bëjmë me serbët që ua tregojnë shqiptarëve varret e shqiptarëve nëpër Serbi”. Ndaj deklaratës së tij, pati shumë kritika.

Deklarata fyese e Aleksandar Vulinit për shqiptarët dhe Edi Ramën e bërë përmes faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë