Ministri i Financave në Shqipëri, Arben Ahmetaj, është deklaruar sot kundër taksës së vënë nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve të prodhuara në Serbi. Ai ka thënë se kjo taksë do të ndikojë në ekonomitë e dy vendeve duke i dobësuar ato.
E kundër deklaratave të Ministrit Ahmetaj, janë shprehur Klubi i Prodhuesve në Kosovë.
Në një prononcim për Ballkani.info, Sekretari Gjeneral i Klubit të Prodhuesve në Kosovë, Vllaznim Osmani, ka thënë se taksa e vënë ndaj produkteve të prodhuara në Serbi e Bosnje, nuk do të ndikojë në dobësimin e ekonomisë vendore.
Më tutje, Osmani ka shtuar se Klubi i Prodhuesve të Kosovës beson se deklaratat e Ministrit Ahmetaj në Shqipëri, përbëjnë pikëpamje personale dhe se nuk janë qëndrime zyrtare të Qeverisë së Shqipërisë.
“Së pari neve si Klub i Prodhuesve të Kosovës, na vjen keq për një deklaratë të tillë nga Ministri i Financave në Shqipëri. Ne shpresojmë dhe besojmë se kjo deklaratë ka qenë personale dhe nuk përbën qëndrim zyrtar të Qeverisë së Shqipërisë. Ne nuk mendojmë se masat e vëna ndaj produkteve të importuara nga Serbia do të ndikojnë në ekonominë vendore” ka thënë Osmani për Ballkani.info.
Kujtojmë se vendimin e Qeverisë aktuale në Kosovë, për taksë 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja, e kanë përcjellur me shqetësime edhe përfaqësues të Bashkimin Evropian, por kjo nuk ka ndikuar në tërheqje të vendimit nga ana e Qeverisë.
Kryeministri Haradinaj, ditën e djeshme ka deklaruar se vendimi nuk do të revokohet deri kur Serbia e Bosnja do ta njohin Kosovën si shtet dhe do të respektojnë Institucionet kosovare në arenën ndërkombëtare. /Ballkani.info/







