Luhet kualifikimi

Klopp kërkon ndihmën e tifozëve në ndeshjen vendimtare ndaj Napolit në Champions League

Jurgen Klopp ka kërkuar nga tifozët e Liverpoolit që të krijojnë një atmosferë elektrizuese në “Anfield”, kur “The Reds” do të përballen me Napolin në ndeshjen e fundit të grupeve në Champions League, takim ky në të cilin do të vendoset skuadra që do të kualifikohet nga grupi C.

Nënkampioni i edicionit të kaluar në Champions League, rrezikon të eliminohet që në fazën e grupeve derisa fitorja ndaj Napolit të martën në mbërmje është obligim.

Liverpooli po kalon nëpër një formë të mirë së fundmi, gjersa i ka fituar 3 ndeshjet e fundit në Premier League, kompeticion në të cilin është edhe lider.

Klopp dëshiron që tifozët t’i japin shtysën shtesë skuadrës së tij në ballafaqimin me Napolin, me takimin e parë që kishte përfunduar me fitoren 1-0 të italianëve.

“Ne nuk ishim të mirë në ndeshjen e parë ndaj Napolit, kështu që gjëja e parë që dëshirojmë të bëjmë është të tregojmë se jemi më të mirë se paraqitja e parë atje. Sërish do të kërkojmë nga tifozët tanë të na ndihmojnë sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme. Do të ishte e mrekullueshme nëse turma do ta dhuronte ndihmën e saj dhe e di se do të bëjnë diçka të tillë”, tha Klopp.

Nëse në takimin tjetër të grupit, Paris Saint Germain e mposht Crvena Zvezdën në Beograd, Liverpoolit do t’i mjaftonte edhe fitorja minimale ndaj skuadrës së Ancelottit, për t’u kualifikuar për në fazën me eliminim direkt të Champions Leagues.