QKUK

Klinika me 35 mijë pacientë ka vetëm 27 shtretër

Mbi 35 mijë qytetarë vetëm brenda nëntë muajve të këtij viti kanë kërkuar trajtim shëndetësor në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), ndonëse kjo nuk i ka as 30 shtretër për pacientë.

Drejtori i kësaj Klinike, Basri Lenjani, ka thënë për gazetën “Zëri” se nga janari në shtator të këtij viti në këtë klinikë janë paraqitur 36 mijë e 55 raste, të cilat kanë kërkuar shërbime emergjente mjekësore.

Ndonëse numri i pacientëve të cilët kërkojnë trajtim në këtë klinikë është i madh, sipas Lenjanit, në këtë klinikë aktualisht janë 27 shtretër. “Ne i kemi 22 shtretër dhe pesë shtretër i kemi për pjesën pediatrike, kur bëhet fjalë për ndonjë rast të rëndë”, ka thënë ai.

Sipas tij, një numër i madh i pacientëve që referohen në këtë klinikë janë raste joemergjente, të cilat po e mbipopullojnë Emergjencën. “Regjioni me më shumë pacientë të referuar është Prishtina me 13 mijë e 460, pasi nuk ka spital të qytetit. Nga komunat më të vogla prin Podujeva me 3635 pacientë. Gjilani me rrethinë ka dërguar 747 raste. Regjioni i Ferizajt, i cili ka spitalin e përgjithshëm që i ka të gjitha kapacitetet, ka numër më të madh të referimeve 4,744 raste. 70% e referimeve janë nga niveli parësor dhe 30% të nivelit dytësor”, ka thënë ai.