Klinë: I ngordhin 70 dele pasi nuk u kujdes për to, s’ishin të vaksinuara

Tash e dy javë i kanë ngordhur rreth 70 dele, Naim Bullakut nga Jashanica e Klinës. Kjo ka bërë që edhe fshati të përballet me kundërmim të madh si pasojë e deleve të ngordhura.

Bullaku thotë se ka kërkuar ndihmë nga institucionet kompetente për kompensim dhe varrosjen e deleve, por që sipas Bullakut tek pas dhjetë ditësh zyrtarët kanë dal në vendngjarje.

“Kam kërkuar ndihmë nga AUV-i, kanë ardhur kanë bërë fotografimin, verfifikimin, kam kërkuar ndihmë nga komuna, kryetari, të gjitha institucioneve por deri sot askush sot ka ardhur komuna me bo gropimin e tyre”, ka thënë Bullaku për RTK-në.

E banorët janë të shqetësuar se ngordhja e tyre mund të përhap ndonjë infeksion.

“Era shumë shumë e rëndë, kemi qenë dy-tre herë me I ndihmu por spo mundemi se në këtë gjendje rrezikohet edhe shëndeti, rrugës janë delet e ngordhura spo e dijm se ku duhet të drejtohemi”, thotë Burim Haliti, banorë i fshatit.

Drejtori i Inspekcionit në komunën e Klinës e mohon se ka pranuar thirrje qysh në ditët kur ka filluar ngordhja.

“Me të marrë kërkesën, ne si drejtori asnjëherë nuk ka ndodhur me na mbet kërkesa në zyre, kemi dalur në vendin e ngjarjes me një telefonatë, para dy dite kam qenë në vendin e ngjarjes e kam obliguar kompaninë dhe kemi rregulluar”, thotë Petrit Beka.

Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thotë se e gjithë kjo ka ardhur nga mos kujdesi dhe mosvaksinimi i deleve, si dhe vë në dyshim origjinën e deleve.

“Inspektorët veterinarë gjatë daljës në teren kanë vlerësuar që informata ka ardhur pas ngordhjës të një numri të madhë të tyre dhe gjatë kontrollit në teren është vërejtur që delet nuk janë të pronarit nuk posedon origjinë dokumentacion të deleve”, ka thënë Thaçi.

E duke mos pasur asnjë dëshmi që delet kanë qenë të vaksionuara, inspektorati i AVUK-ut ka urdhëruar fermerin që delet e ngordhura vet t’i varros në pronën e tij.