Klinaku: ZPS-ja iu flet serbisht dëshmitarëve dhe iu ofron banim jashtë Kosovës

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, tha se disa nga dëshmitarët që janë paraqitur në Zyrën e Prokurorisë Speciale (ZPS), kjo e fundit iu flet në gjuhën serbe dhe iu premton banim jashtë Kosovës.

Klinaku një gjë të tillë e ka deklaruar në ‘Facebook’, duke thënë se dëshmitarët po e refuzojnë një “ofertë” të këtillë.

“Ka raste të dëshmitarëve që unë i di e që ZPS ju flet edhe serbisht dhe ju premtojnë strehim e banim jashtë Kosovës, vetëm e vetëm që të japin dëshmi të rrejshme kundër krerëve të UÇK-së, por ata janë duke refuzuar. Po të kishin frikë ata dëshmitarë, nuk do të tregonin dhe nuk do ta bënin vet publike e duke treguar se kanë dhënë dëshmi”, ka deklaruar ai.

“Nuk po përmendi emra, sepse me siguri me skandalin e radhës do t’i bëjnë publike vet ajo zyrë e fëlliqur në Hagë”, përfundon në postimin e tij ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK.

Më herët, Klinaku e ka cilësuar skandaloze publikimin e emrit të viktimave nga ana e Gjykatës Speciale.

“Me këtë, për herë të dytë, por edhe më shumë i rrezikojnë dëshmitarët, sepse herën e parë i kanë rrezikuar kur ju ndodhi skandali i rrjedhjes së dosjeve nga zyrat e tyre në Hagë dhe për fajin e tyre mbahen peng qe dy vite e gjysmë krerët e OVL UÇK-së Hysni Gucati e Nasim Haradinaj”, deklaroi ai më herët.