Faton Klinaku

Klinaku: Mimozën, bashkëbiseduesen e kriminelit Radojiçiq, po e mbron pushteti e s’po e thërret prokuroria

Mimoza Kusari-Lila, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje do të duhej të jepte dorëheqje e të fillojnë hetimet për bisedat e saj me kriminelin e shpallur terrorist nga Kosova, Milan Radojiçiq, ka shkruar në Facebook, Faton Klinaku, Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Postimi i Klinakut në Facebook vjen pas intervistës së Slavko Simiq nga Lista Serbe, i cili tha se Kusari-Lila, ndryshe nga sa thotë ajo, ka biseduar shpesh dhe shumë gjatë me Radojiçiqin.

“Dëshiroj t’ia rikujtoj bashkëbisedueses time se gjatë seancave të caktuara parlamentare caktoi një pauzë për të pasur rastin të bisedojë me Radojiçiqin dhe të kërkojë prej tij mbështetjen e Listës Serbe, e cila ishte e nevojshme për funksionimin e saj në atë moment”, deklaroi Simiq.

Prandaj, Klinaku thotë se është i befasuar se si “bashkëbiseduesen e një krimineli të shpallur nga Kosova e që është edhe në listë të zezë të SHBA-ve e mbron pushteti, e prokuroria nuk e thërret as për intervistim”.

Ai shkruan se Kusari Lila “në vend se t’jap dorëheqje e me këtë të lehtësohet hetimi i skandaleve, ngrisin padi duke u munduar që ta largojnë vëmendjen nga to”.

OVL pati paralajmëruar protestë duke deklaruar edhe se nuk do të lënë të futen deputetët në Parlamentin e Kosovës, përderisa Kusari-Lila vazhdon të jetë pjesë e këtij institucioni, por në mungesë të organizimit ata nuk dolën kur u mbajt seanca.

Tashmë ka kaluar rreth një muaj, prejse për herë të parë u publikuan videot ku Kusari-Lila e Slavko Simiç dëgjoheshin tek flisnin për shumë tema, mes tyre edhe ajo e listave të veteranëve të luftës.