Klinaku: Me qeverinë i kemi shkëputur gjërat, tani jemi në Kushtetuese

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka deklaruar se me qeverinë aktuale i kanë shkëputur gjërat. “Tani jemi në Kushtetuese”, tha ai.

Klinaku ka deklaruar se ka përfunduar dialogu i veteranëve me qeverinë, derisa të kthehet vendimi nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me pagën minimale.

“Nuk ka dialog me qeverinë derisa Gjykata Kushtetuese të kthejë vendimin”, ka thënë Klinaku, për RTV Dukagjini.

Sipas tij, gjërat kanë shkuar mbrapsht prej që ka ardhur qeveria aktuale në pushtet.

Ndër të tjera, Klinaku në lidhje me betejën e veteranëve me qeverinë për pagën minimale, ka theksuar se organizatat e dala nga lufta janë kategori ligjore dhe ndryshimet e ligjeve që kanë të bëjnë me ta nuk mund të ndryshohen pa u konsultuar paraprakisht.

“Jemi kategori ligjore, s’mund të bëjnë ndryshime pa ne. Nuk kanë dashur të bashkëpunojnë me ne, organizatat e dala nga lufta, nuk mund të bëjnë ndryshime pa pajtueshmërinë tonë, ne i përfaqësojmë këto kategori”, ka vijuar Klinaku.

Sipas tij, kjo qeveri nuk e ka bërë kategorizimin e veteranëve dhe deri atëherë duhet të zbatohet ligji që ka qenë në fuqi për veteranët dhe sipas tij fajtore është qeveria aktuale në pushtet.

“Është temë e gjatë. Ne kemi protestuar vitin e kaluar. I kemi mbajtur dy protesta. Kemi pasur kontakte me qeverinë. Çështja është se prej vitit të kaluar kemi thënë se do të protestojmë kur të mbahen seancat. E morëm një vendim që të pritet Gjykata Kushtetuese. Kemi pasur takim me presidenten, ajo e di ku janë bërë shkeljet, ia kemi sqaruar. I kemi kërkuar që të mos dekretojë ligjin, meqenëse çështja ka kaluar në Gjykatë Kushtetuese, atëherë po e presim atë vendim”, ka theksuar Klinaku.

Ai ka thënë se Gjykata e konstaton se a ka lista veteranë të rrejshëm apo jo dhe se ky proces është në verifikim.

Ndryshe Ligji për pagën minimale që u miratua në Kuvend, ka hasur në kundërshtime nga veteranët e luftës e nga opozita në Kosovë.

Ligji për pagën minimale ka hasur në kundërshtim të ashpër nga personat që përfitojnë nga skema pensionale për veteranët e luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë.

Kjo për shkak se ky ligj nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën.

Përkatësisht, ndonëse paga minimale parashihet të rritet në 264 euro, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro, sa është paga minimale momentalisht.
Lidhur me veteranët ky ligj thekson se ‘deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit Qeveria e Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual’.

Emri zyrtari tij është “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”.

Në parim, me të parashihet që paga minimale në Kosovë të arrijë vlerën e 264 eurove bruto për të gjithë të punësuarit, në sektor publik e privat.

Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç. /Dukagjini/