Klima në krizë

Kosova kujtohet për mjedisin vetëm gjatë muajve të dimrit, kur Prishtina dhe rrethina ngufaten prej ajrit të ndotur. Në kohën e temperaturave të acarta vlon debati për ndotjen në rrjete sociale.

Ngrihen shqetësime e adresohen probleme, por institucionet përgjegjëse zakonisht luajnë pingpong me përgjegjësinë, shkruan sot Koha Ditore.

Pa leje mjedisore operon edhe termocentrali “Kosova A”. Ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, thotë se nuk e vret ndërgjegjja për këtë fakt. Justifikohet me boshllëqet ligjore, që aktivistët thonë se janë krijuar qëllimshëm për t’iu dhënë njerëzve të afërt me politikën dritën jeshile për vazhdimin e degradimit mjedisor.

Por ndryshimet mjedisore mund të nxisin edhe përplasje ndërmjet shteteve fqinje, për shkak të mungesës së burimeve në kohën kur ndryshimi klimatik është kthyer në sfidë botërore, alarmojnë Kombet e Bashkuara.

Ngjashëm ndodh edhe me shqetësimet e ngritura për degradimin e lumenjve e luginave, që pa leje mjedisore u janë dhënë kompanive të afërta me pushtetarët që po ndërtojnë hidrocentrale.

Qeveria pretendon se kështu po i kontribuon ngritjes së prodhimit të energjisë së ripërtëritshme, një prej mënyrave për ta luftuar ndikimin negativ të ndryshimit klimatik. Mirëpo banorët e zonave dhe ekspertët e shoqërisë civile thonë se Kosova po i fut ujërat e pakta në tuba të çelikta për përfitime të dyshimta. Lumenjtë janë kthyer në impiante të hapura, ku nga qytetarët dhe kompanitë komunale derdhen ujërat e zeza dhe mbetjet e ndryshme industriale.

Kosova po gjymtohet

Ulja e shkallës së reshjeve atmosferike dhe zgjatja e periudhave me thatësi ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshmërinë e qytetarëve. Krizës së ujit i kontribuon edhe prerja legale e ilegale e pyjeve.

Malet e fushat digjen qëllimshëm verës, duke emetuar gazra serrë. Sikurse ndodh edhe me deponitë e hapura legale e ilegale gjithandej Kosovës