Kjo është mosha mesatare e Policisë së Kosovës

Para më shumë se një muaji, projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme në Kuvend. Ndaj, derisa mosha mesatare e policisë ka arritur në 48 vjeç po kërkohet që ky projektligj të jetë sa më parë në agjendë.

Mosha mesatare e zyrtarëve policorë ka arritur në 48 vjet. Përveç kësaj, afër 600 pjesëtarë të policisë kanë sëmundje kronike.

Kështu, Ligji për Pensionim, i cili do të mund ta rregullonte mundësinë që zyrtarët policorë të pensionohen në moshën 55-vjeçare, po vazhdon të konsiderohet më se i nevojshëm.

“Kjo është kërkuar gati qe 8 vjet. Është shumë i nevojshëm. Detyrat e policisë së Kosovës janë të komplikuara, në vazhdimësi kemi bërë këtë kërkesë. Jemi policia më e vjetër.”Ndërkohë, projektligji për pension të parakohshëm, para më shumë se një muaji, nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për miratim në Kuvend, shkruan Paparaci.

Partia Demokratike e Kosovës, që është iniciuese e këtij projektligji, thotë se do të insistojë që ai të jetë sërish në agjendë.

“Ju e dini që ka qenë në programin legjislativ 2021, por është tërhequr, në vitin 2022 e tash në 2023 nuk është, nuk besoj që do të jetë as në vitin 2024, por ne do të insistojmë me patjetër që të jetë në agjendën e Qeverisë. Ne jemi edhe në konsultime me partinë dhe do të bëjmë përpjekje që ta sjellim sërish në Kuvend dhe ta kalojmë.”

Ndërkohë, në rast të miratimit, përmes këtij ligji do të rregulloheshin dhe do të përcaktoheshin kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet dhe kategorizimin e pensioneve për zyrtarët policorë.