Kjo është marrëveshja e arritur në Bruksel që Kurti e kishte refuzuar dy ditë më parë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka dhënë detaje për marrëveshjen që është arritur sot në Bruksel mes kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Borrell, nëpërmjet një njoftimi, ka thënë se sipas marrëveshjes së arritur sonte, Serbia do të ndalojë së lëshuari tabela me denominime të qyteteve të Kosovës, ndërkaq Kosova do të pushojë së ndërmarruri veprime që lidhen me ri-regjistrimin e veturave.

“Serbia do të ndalojë së lëshuari tabela të regjistrimit me denominime të qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndalojë së ndërmarri veprime që lidhen me ri-regjistrimin e veturave”, ka shkruar Borrell.

Borrell i ka ftuar dy palët që ditëve në vazhdim të diskutojnë mbi hapat e radhës.

Ai e ka falënderuar edhe emisarin Miroslav Lajçak dhe palët, siç ka shkruar ai, për “punën e madhe”.

Të kujtojmë se dy ditë më parë në Bruksel, kryeministri Kurti e kishte refuzuar një propozim të tillë. Kjo kishte ndodhur në takimin që i pranishëm ishte edhe Vuçiq. Madje Kurti e kishte akuzuar rëndë Borrellin pas takimit, duke thënë se po e mbante anën e Serbisë.