Kjo është kosovarja që do t’i rrëfejë përjetimet e dhunës seksuale në luftë
Vasfije Krasniqi Goodman është kosovarja që jeton, është e martuar dhe jeton në Amerikë, por që së shpejti do të vijë në Kosovë të flasë për përjetimet e saj si viktimë e dhunës seksuale.
Ajo këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter.
“Do të shkoj në Kosovë për të folur publikisht, si e mbijetuar e dhunës seksuale. Shpresoj se kjo do t’i japë shpresë dhe kurajo edhe viktimave të tjera, për të folur publikisht për këtë gjë”, ka shkruar ajo.
Se një kosovare do të vijë dhe të flasë për herë të parë publikisht për përjetimet e saj si viktimë e dhunës seksuale e kishte paralajmëruar Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, Feride Rushiti, në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Njëra nga të mbijetuarat e dhunës seksuale së shpejti do të vijë dhe do të flasë ekskluzivisht publikisht, për herë të parë në historinë e Kosovës. Ajo është pjesë e lëvizjes globale të dr. Denis Mukëege Foundation, ka qenë paraprakisht këtë vit dhe ka folur në sesionin e UN-it për dhunën seksuale”.
“Në muajin tetor pritet të vijë në Kosovë dhe do të ndajë përvojën e saj me të gjitha gratë, ndoshta edhe me mediat”.
“Ajo ka shprehur dëshirën të flasë publikisht për mediat, shoqërinë por mbi të gjitha për të mbijetuarat e dhunës seksuale, vetëm për t’i fuqizuar ato që t’i realizojnë të drejtat e tyre”, kishte thënë Rushiti në Info Magazine.
Vasfije Krasniqi Goodman në moshën 16 vjeçare i është nënshtruar torturave dhe dhunimit.