Aeroport

Kjo është gjendja në Aeroportin e Prishtinës pas reshjeve të borës

Kosova është përballur me reshje të borës që nga dita e enjte.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, rrugët kryesore nëpër Kosovë kanë qenë të gjitha të kalueshme, e këtë e konfirmoi edhe vetë ministri i infrastrukturës, Pal Lekaj, transmeton Ballkani.info.

Qytetarët kanë shfaqur shqetësime për disa nga lagjet në Prishtinë ku rrugët nuk janë pastruar me kohë, e si pasojë ka pasur edhe bllokime të rrugëve pasi që drejtuesit e automjeteve janë përballur me vështirësi qarkullimi.

Policia e Kosovës ditën e djeshme ka lëshuar një komunikatë për media, përmes së cilës ka kërkuar vigjilencë më të lartë nga qytetarët përgjatë qarkullimit e sidomos nga drejtuesit e automjeteve, nga të cilët ka kërkuar kujdes më të madh në lëvizje dhe respektim i rregullave të komunikacionit.

Në anën tjetër, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ për Ballkani.info është thënë se fluturimet kanë vazhduar me rregull dhe nuk janë shfaqur probleme.

“Aeroporti është duke operuar me rregull, të gjitha fluturimet kanë qenë në kohë dhe nuk kemi pasur problem për shkak të reshjeve të borës. I vetmi fluturim me vonesë ka qenë ai nga Stambolli, por të tjerat kanë vazhduar me rregull”, ka thënë menaxheri për koordinim të fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës, Driton Hyseni.

Tutje, Hyseni ka thënë se qytetarët mund t’iu referohen edhe uebsajtit zyrtar të Aeroportit për informata më të detajizuara. /Ballkani.info