Kjo është gjendja e dy të rinjve të prekur së fundi nga koronavirusi në Kosovë

Infektologu Salih Ahmeti, në një lidhje direkte për RTV Dukagjinin, ka thënë se dy personat e fundit të ardhur nga Londra e që rezultuan të prekur me coronavirus, nuk janë shtrirë në Klinikën Infektive për trajtim.

Mjeku thotë se pacientët me vetë dëshire janë dërguar në vetë izolim shtëpiak pasi sipas tij nuk kanë shfaqur simptoma të rënda klinike.

“Kanë gjendje shëndetësore të mirë, janë në vetë izolim shtëpiak,  por janë nën mbikëqyrje tonën dhe të ekipit të Shëndetit Publik”.

Infektologu thotë se tashmë ekipet janë duke bërë ekzaminimet e personave tjerë me të cilët këta dy pacientë kanë pasur kontakt.

Duke folur për gjendjen e pacientëve tjerë të prekur nga ky virus, Ahmeti thotë se ata janë mirë dhe kanë gjendje stabile.

“Vazhdimi i gjendjes stabile për këto ditë është shenjë e mirë”.

Mjeku ka thënë se gjendja e 77 vjeçarit është pak më e rëndë por thotë se ai ka pasur sëmundje tjera dhe se në raport me koronavirusin nuk ka ndonjë përkeqësim.