Kjo është “ëndrra” që ua prishi Kica-Xhelili ish partiakëve të tij

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili ka qenë një prej emrave më të përfolur të mërkurën e kësaj jave pasi ka vendosur që të ndajë rrugët me partinë e themeluar nga Vjosa Osmani dhe t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Lumir Abdixhikut.

Një lëvizje e tillë e deputetes ka nxitur reagime të mëdha. Nga militant të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë linçuar, zyrtarë të partisë ia kanë përmendur “tradhtinë”, derisa bashkëpartiakët janë munduar ta paraqesin s’i të parëndësishme.

Megjithatë deklaratat kundër Kica-Xhelilit që vijnë nga “GUXO” burojnë nga diku tjetër.

Deputeti Haxhi Avdyli në shkurt të këtij viti kishte lënë të kuptohet se do të synojnë krijimin e një Grupi Parlamentar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Avdyli në emisionin DPT te Fidani në T7 kishte treguar se pengesë për të paraqet fakti që janë pesë deputetë dhe se iu duhet edhe një për të krijuar një grup të ri parlamentar.

“Pyetje me vend, e vërteta është qe ne jemi me rregulloret e Kuvendit, duhet të jemi gjashtë deputet, dhe ne jemi pesë deputet, dhe me pesë nuk mundemi të formojmë grup parlamentar, por në momentin që bëhemi gjashtë, tash nuk e di qysh mund të bëhemi gjashtë, a ose hyn naj deputet tjetër, ose shkon naj deputet…apo vjen naj deputet nga një grup tjetër parlamentar, nuk mund ta dimë, ne jemi të interesuar të kemi edhe grup parlamentar”, kishte thënë Avdyli në DPT te Fidani.

Pas aderimit të deputetes Kica-Xhelili në Lidhjen Demokratike të Kosovës, shpresat e GUXO-s për krijmin e një Grupi Parlamentar janë shuar, meqë tashmë kanë mbetur vetëm 4 deputetë.

Bashkë me synimin për GP janë shuar edhe shpresat për marrjen e disa përfitimeve të cilat parashihen me rregulloren e punës së Kuvendit, siç janë sigurimi i një hapësire ku vepron Grupi Parlamentar, kushtet dhe pajisjet e nevojshme për punë dhe angazhimi i stafit politik.

Ky staf politik i grupeve parlamentare për punë që bën, paguhet në përputhje me vendim të Kryesisë. Kështu e specifikon pika 6 e Nenit 20 të Rregullores së Punës së Kuvendit.

“Grupeve parlamentare u sigurohen hapësira të nevojshme dhe proporcionale, kushte dhe pajisje të nevojshme, si dhe një staf politik. Stafi politik i grupeve parlamentare për punën e vet shpërblehet në përputhje me Vendim të Kryesisë”, thuhet në pikën 6.