Kjo është arsyeja pse Kosova nuk rrit numrin e testimeve për COVID-19!

Që nga rasti i parë në Kosovë me koronavirus nga institucionet e shëndetësisë është kërkuar vazhdimisht që të rrisin numrin e testimeve të qytetarëve, si masë parandaluese për përhapjen e pandemisë.

Pas shumë kërkesave është përgjigjur vetë Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës, nga ku ka përmendur shumë arsye pse numri i testimeve nuk mund të rritet e njëra ndër arsyet janë kapacitetet teknike dhe mungesa e stafit

IKSHPK-ja ka thënë se në të gjitha laboratoret ku kryhen këto shërbime punon një specialist i mikrobiologjisë dhe një laborant, ndërsa kanë kritikuar insitucionet se këtë kategori e kanë lënë me buxhet të ulët, pavarësisht kërkesave të shpeshta që të rriten kapacitetet në Departamentin e Mikrobiologjisë. “Së pari do të ishte më mirë që të kishim pasur më shumë laboratorë për diagnostikë molekulare në sektorin shëndetësor dhe më shumë personel të specializuar në këtë procedurë diagnostike. Por këto kapacitete njerëzore dhe laboratorike nuk mund të krijohen për 2-3 javë e as për 2-3 muaj. Edhe një specialisti të dedikuar për të punuar në diagnostikë molekulare i nevojiten rreth 6 muaj për trajnim, në mënyrë që të punojë i pavarur. Gjithashtu edhe kërkesat laboratorike për aparaturë dhe për hapësirë të punës nuk mund të krijohen ad-hoc për shkak të kushteve shumë speifike të punës, edhe në rast se në këtë moment ka shumë nevojë për këto”, kanë thënë IKSHPK-ja.

Departamenti i Mikrobiologjisë, IKSHPK, me një buxhet tejet të limituar, kryen rreth 200.000 ekzaminime të ndryshme mikrobiologjike në vit për infeksione të rëndësishme për shëndetin publik për tërë Kosovën, për pacientët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, si dhe për qytetarët e rajonit të Prishtinës. Në të gjithë laboratorët ku kryhen këto shërbime punon një specialist i mikrobiologjisë dhe një laborant. Prandaj të vendoset si cak i kritikave se pse nuk po testohen më shumë njerëz në Kosovë për COVID-19 një laborator, përkatësisht shërbimi diagnostik i sëmundjeve ngjitëse, të cilit i janë neglizhuar me vite nevojat për burime njerëzore të bëra si kërkesa të vazhdueshme për pajisje, për hapësirë të punës, si dhe për buxhet, nuk mund të jetë aspak korrekte.

IKSHPK-ja thotë se që nga shfaqja e pandemisë COVID-19 në vendin tonë po punojnë me orar të zgjatur. “Që nga fillimi i gjendjes me pandeminë COVID-19 personeli i laboratorit është duke punuar shtatë ditë në javë, pa ndonjë orar të caktuar, me afro 16 orë në ditë. Të gjitha mostrat të cilat janë pranuar deri më sot janë testuar brenda ditës ose më së largu brenda 24 orëve, që nënkupton tejkalim të kapaciteteve, edhe të laboratorëve modernë evropianë. Asnjë qytetar i Kosovës, që ka pasur indikacion epidemiologjik dhe që është referuar për testim, nuk ka mbetur pa u testuar”, thotë IKSHPK-ja.

Deri tani në Kosovë janë të prekur nga koronavirusi 377 persona, ndërsa janë shënuar 8 viktima dhe janë shëruar 63 pacientë.