Kivanç heq dorë nga aktrimi nëse përbën rrezik për turqit

Aq sa rebel e të ëmbël e shikoni nga ekrani, aq i ashpër bëhet Kivanç Tatlitug edhe në jetën reale kur është fjala për gjërat që ai i do më shumë.

Me rrjetin dhe fansat nuk i ka gjithmonë marrëdhëniet e mira, sepse bëhet i ndjeshëm kur i komentojnë gjërat e dashura.

Pak kohë më parë, pas një fotoje që publikoi së bashku me bashkëshorten, pati nga ata ndjekës që nuk nguruan të shprehnin hapur antipatinë për të, madje edhe duke shkruar se ajo dukej shumë më e madhe se aktori.

Kivanç nuk heshti, madje u rebelua dhe shkroi një status të gjatë për atë që ai e ka zgjedhur për ta pasur në krah gjithë jetën.

Ndërsa tani, është rebeluar për qenin e tij besnik, Mars. Dy ditët e fundit, aktori është kthyer në qendër të vëmendjes së mediave për shkak të qenit të tij.

Shumë prej ndjekësve e kanë quajtur qenin e tij ‘pitbull agresiv’, madje duke shtuar se aktori ia ka prerë veshët për ta bërë më ‘bukurosh’, por më kot.

Sipas komenteve, ai nuk duhet të shfaqet në publik, sepse ligji nuk e lejon, pasi është i rrezikshëm dhe veshët e tij të prerë tregojnë se përdoret për t’u përleshur.

“Nëse ju i vërtetoni të gjitha këto që thoni, unë do të heq dorë menjëherë nga profesioni im. Nëse përbëj rrezik në publik me të, atëherë nuk do të dal asnjëherë më në publik dhe do merrem me punë të tjera”, – shkruan aktori në llogarinë e tij.