Mjekët kirurgë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë hyrë në grevë që nga data 17 Dhjetor të vitit të kaluar me kërkesë për ngritje të pagash.

Pas miratimit të Projektligjit për Paga në Kuvendin e Kosovës, koeficienti i pagave për kirurgët ka mbetur i pandryshuar, andaj si rrjedhojë greva është duke vazhduar.

Aktualisht, kirurgët kanë koeficientin e pagës 5, që i bie se marrin një mijë e 195 euro pagë mujore, kurse me kërkesën e tyre për koeficientin 8, do të merrnin një mijë e 912 euro pagë mujore.

Në një prononcim për Ballkani.info, kirurgu i përgjithshëm në QKUK, Arbër Morina ka thënë se kirurgët nuk kanë marrë ndonjë ftesë për takim nga Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

“Ne nuk jemi qesharak t’i fillojmë dhe mbarojmë grevat brenda ditës. Greva jonë ka filluar me kërkesa të qarta nga fundviti i kaluar dhe nuk është pezulluar asnjëherë deri më tani. Pas seancës së Kuvendit të Kosovës ku u votua Projektligji për Paga, ende nuk kemi marrë ndonjë ftesë nga ministri Ismaili për ta diskutuar gjendjen, andaj aktualisht greva është duke vazhduar”, ka thënë Morina për Ballkani.info.

Kujtojmë se greva e kirurgëve në QKUK kishte bërë që brenda ditës të refuzohen nga 200 raste të intervenimeve dhe përjashtim ka pasur vetëm për rastet emergjente. /Ballkani.info

Lexo edhe: Kirurgët e pakënaqur, kërkojnë koeficient të njejtë me gjyqtarët dhe prokurorët