Kina përplaset me Kanadanë në OKB: 215 kufoma fëmijësh t’u gjetën në shkollë, shikoje historinë tënde

Kanadaja dhe Kina janë përplasur në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Kanadaja e akuzoi Kinën për veprime shtypëse në Xinjiang, Hong Kong e Tibet. Kjo e nxiti Kinën që të hidhte akuza të rënda rreth historisë kolonialiste të Kanadasë.

Shkëmbimi i akuzave mes këtyre dy vendeve të martën në organin e OKB-së është shenjë e re për përkeqësimin e raporteve mes Otavës e Pekinit, të cilat janë ftohur vazhdimisht viteve të fundit shkaku i përplasjeve rreth të drejtave të njeriut, tregtisë dhe pretendimeve për të ashtuquajturën “diplomaci e pengmarrjes”.

Kanadaja i bëri thirrje Kinës që të lejojë qasje të menjëhershme dhe të pakufizuar në mënyrë që vëzhguesit e pavarur të mund ta vizitojnë rajonin Xinjiang, ku ekspertët e OKB-së thonë se rreth një milion ujgurë dhe myslimanë të tjerë janë ndaluar në kampe, shkruan The Guardian.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për gjendjen e të drejtave të njeriut në Rajonin Autonom Ujgur të Xinjiangut”, tha ambasadorja e Kanadasë në Kombet e Bashkuara, Leslie Norton. Në deklaratën e përbashkët, të përkrahur nga Australia, Britania, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara, citohen raportime për torturë e trajtim çnjerëzor, sterilizim të detyrueshëm, dhunë seksuale dhe gjinore dhe ndarje me forcë të fëmijëve nga prindërit.

Kina u mundua që ta zhvendoste vëmendjen nga deklarata e aleatëve perëndimorë duke e sulmuar të kaluarën kolonialiste të Kanadasë. Duke e përmendur rastin e zbulimit të varreve të 215 fëmijëve në një objekt që dikur ishte shkollë me konvikt në Kanada, Jiang Duan, zyrtar i lartë i misionit të Kinës në OKB në Gjenevë, bëri thirrje për një hetim të plotë rreth trajtimit historik të popujve indogjenë në Kanada dhe për dëmshpërblime për viktimat.

“Historikisht, Kanadaja ua ka plaçkitur tokat popujve indogjenë, i ka vrarë ata dhe ua ka çrrënjosur kulturën”, thuhet në deklaratën e Kinës.

Deklarata e zyrtarit kinez u lexua në emër të Rusisë, Bjellorusisë, Iranit, Koresë Veriore, Sirisë dhe Venezuelës. Të gjitha këto shtete janë akuzuar për abuzim të gjerë të të drejtave të njeriut.