Kina me metoda të reja për bashkimin e çiftëve, dasmat fillojnë të mbahen online

Si shumë çifte në erën e distancimit social, Ma Jialun dhe Zhang Yitong e zhvilluan ceremoninë e tyre të dasmës, online, por ata shtuan edhe një element tjetër, atë të transmetimit live të eventit për më shumë se 100 mijë të panjohur.

Izolimet për shkak të koronavirusit dhe kufizimet e udhëtimeve, kanë detyruar njerëzit në të gjithë botën të shtyjnë planet e tyre për martesë apo t’i përshtaten kohës së pazakontë duke festuar përmes lidhjeve në web.

Por në Kinë, ku livestreaming është jashtëzakonisht shumë popullor, disa çifte të reja po lejojnë këdo të ndjekë ditën e tyre të madhe e madje edhe t’u dërgojë atyre dhurata. Sipërmarrës kreativë po ashtu po përfitojnë nga situata duke u ofruar njerëzve opsionin e zbukurimit të ceremonisë së tyre me efekte speciale.

Kur Ma dhe Zhang u martuan në qytetin lindor Hangzhou, më 1 maj, kishte më shumë se 100 mijë vizitorë, të çastit, që e ndoqën ceremoninë live. Ata lanë pëlqime dhe komente, por edhe monedha virtuale dhe dhurata. Vetëm pak njerëz mundën t’u bashkoheshin fizikisht atyre.

Çifti kishte planifikuar ditën e tyre të madhe fillimisht në janar, por mbetën të bllokuar në qytete të ndryshme ndërsa përhapja e virusit e izoloi të gjithë vendin. Tubimet publike, përfshirë dasmat, janë ende të ndaluara. Përgatitjet për to po rifillojnë vetëm tani pasi të gjitha provincat e Kinës dolën nga emergjenca dhe jeta po fillon të kthehet në normalitet. Sidoqoftë, darkat dhe tubimet e mëdha, nuk lejohen ende, duke lënë festën online si opsionin e vetëm të mundshëm dhe të preferuar nga shumëkush.