Kina anulon taksat shtesë ndaj mallrave amerikane

Kina ka marrë vendim për ta anuluar zbatimin e disa taksave shtesë ndaj mallrave amerikane, të cilat ishin planifikuar për të hyrë në fuqi nga 15 dhjetori. Ky vendim erdhi pasi dy fuqitë më të mëdha ekonomike në botë arritën marrëveshje për fazën e parë të marrëveshjes tregtare.

Sipas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara gjithashtu do t’i anulojnë taksat e planifikuara ndaj mallrave kineze në këmbim të rritjes së eksportit të prodhimeve bujqësore dhe produkteve të tjera amerikane në Kinë.

Taksat hakmarrëse të Kinës, të cilat ishin planifikuar për të hyrë në fuqi nga e diela, kishin për shënjestër prodhime të ndryshme amerikane, përfshirë misrin, grurin, veturat dhe pjesët e veturave.

Sidoqoftë, në njoftimin e komisionit për taksa doganore të Këshillit Shtetëror të Kinës thuhet se taksat e mëhershme ndaj mallrave amerikane do të vazhdojnë të mbesin në fuqi.

Në këtë njoftim më tej thuhet: “Kina shpreson të punojë me Shtetet e Bashkuara për zgjidhjen e shqetësimeve dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike mes dy shteteve”.

Sipas negociatorit tregtar amerikan, Pekini është pajtuar që të blejë nga Shtetet e Bashkuara mallra shtesë në vlerë të 200 miliardë dollarëve gjatë dy vjetëve të ardhshëm, shkruan “Reuters”.