Kimi i Koresë kërkon izolim edhe më të rreptë: Ta ndalim virusin në stilin tonë

Lideri i Koresë Veriore, Kim Jong-un, i ka urdhëruar zyrtarët e shtetit të tij që të zbatojnë një fushatë më të rreptë për parandalimin e pandemisë, duke thënë se kjo duhet të bëhet “në stilin tonë”.

Deklarata e tij erdhi vetëm pak ditë pas raportimeve se Koreja Veriore ka refuzuar gati 3 milionë doza të vaksinës kundër Covid-19 të programit të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, duke këshilluar që ato vaksina t’iu ofrohen vendeve që janë goditur më rëndë nga virusi.

Gjatë një takimi të byrosë politike të enjten, Kimi citohet nga agjencia shtetërore e lajmeve t’iu ketë thënë zyrtarëve: “Duhet ta mbani në mend se forcimi i parandalimit të epidemisë është detyrë e rëndësisë më të madhe, e cila nuk duhet të dobësohet në asnjë çast.”

Kim Jong-un më parë i ka paralajmëruar banorët e Koresë Veriore që të përgatiten për masa të gjata kufizuese, duke lënë të kuptohet se kufijtë e shtetit do të qëndrojnë të mbyllur, pavarësisht përkeqësimit të situatës ekonomike dhe vështirësive për sigurimin e ushqimit.

Që nga fillimi i pandemisë, Koreja Veriore ka përdorur karantinë të rreptë dhe mbyllje të kufijve për ta parandaluar përhapjen e virusit, ndonëse pretendimi i saj se nuk ka pasur asnjë rast me Covid-19 nuk besohet nga ekspertët