Kievi në terr, sulmet ruse lënë pa energji edhe Moldavinë, OBSH: Katastrofë humanitare

Rreth 70% e kryeqytetit ukrainas mbeti pa energji, ndërsa puna për të rivendosur furnizimin me ujë të qytetit vijon.

Sulmet ruse në objektet energjetike kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në të gjithë Ukrainën. Kjo vjen me fillimin e dimrit, reshjet e borës dhe temperaturave nën zero.

Kryetari i bashkisë së Kyivit, Vitali Klitschko tha se firmat e energjisë po përpiqeshin të rivendosin energjinë elektrike sa më shpejt të jetë e mundur, por kjo do të varet nga “balanca” në rrjetin kombëtar.

Furnizimi me energji, ujë dhe ngrohje janë rikthyer në qytetin perëndimor të Lviv pasi mbeti tërësisht pa energji elektrike, sipas kryebashkiakut të tij Andriy Sadovyi.

Por ai tha se do të ketë ende ndërprerje të planifikuara në disa pjesë të qytetit. Rusia ka shënjestruar raketat në rrjetin energjetik të Ukrainës për javë të tëra, me ndërprerjet e energjisë elektrike.

Rreth 70 raketa goditën vendin të mërkurën, sipas presidentit Volodymyr Zelensky. Dhjetë njerëz u vranë, tha Ministri i Brendshëm Denys Monastyrsky dhe tre termocentrale bërthamore u mbyllën urgjentisht.

Më shumë se gjysma e Moldavisë fqinje gjithashtu iu ndërpre energjia elektrike, por energjia u rivendos në pjesën më të madhe të kryeqytetit Kishinau brenda pak orësh.

Ministria e Jashtme e vendit thuhet se ka thirrur ambasadorin rus dhe në një deklaratë dënoi “pasojat dramatike” për Moldavinë të “bombardimit brutal të Ukrainës nga Rusia”.

Në një fjalim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën për “krim kundër njerëzimit”.

Miliona njerëz kishin mbetur në të ftohtë pa ngrohje, ujë apo energji për shkak të “formulës së terrorit” të Moskës, tha ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se vendi po përballet me një katastrofë humanitare, pasi spitalet kanë mbetur pa energji.