Këshilli i Evropës

KiE: Kosova s’është në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave aktualisht

Këshilli i Evropës ende s’e di nëse votimi për anëtarësimin e Kosovës do të vendoset në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave më 17 maj.

Nacionale i është drejtuar me pyetje Këshillit të Evropës, pasi Qeveria e Kosovës njoftoi se nuk do ta pranojë kushtin për themelimin e Asociacionit që vendi të anëtarësohet në këtë organizatë.

“Në këtë pikë, Kosova nuk është në agjendë të takimit të Komitetit të Ministrave.” – na thanë nga shërbimi i shtypit në Këshillin e Evropës.

Ndërkohë, nuk dihet ende nëse do të vendoset në agjendë, derisa KiE do të njoftojë për të gjitha zhvillimet.

Çka ndodhi sot?

Në një fjalim të gjatë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, pas disa javëve me raportime nëpër media e pas deklaratave të ndryshme në opinionin publik, kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se ekziston kushti i krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kurti e bëri me dije këtë qysh në hyrje të fjalimit të tij në mbledhjen e Qeverisë, kur konstatoi se Kosova ka bërë gjithçka që i është kërkuar për anëtarësimin në këtë organizatë.

“Pas tërë këtij rrugëtimi të shoqëruar me progres të vazhdueshëm në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, këto javë u përballëm me kusht të ri që s’ka të bëjë aspak me standradet e anëtarësimit në këtë organizatë.” – tha ai.

Tutje, shefi i ekzekutivit tha se nuk e kanë pranuar draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të sjellur nga emisari Miroslav Lajçak dhe përfaqësues të tjerë të shteteve të QUINT-it.

Ai e cilësoi këtë draft si “non-paper”.

Më tej, Kurti tha se nuk ka pritur që pengesa do t’i vinte nga shtetet përkrahëse, në vend të atyre mosnjohëse.

“Pengesat për anëtarësim i mendonim nga shtete që s’e njohin Kosovën, por assesi e asnjëherë s’e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim e më herët ishin krah nesh për çlirim e pavarësim.” – u shpreh ai.

Mes tjerash, Kurti e cilësoi edhe si për keqardhje mungesën e përkrajes.