Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ashpër ndaj ligjit për shtetësinë, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se e ka miratuar atë me votat e Listës Serbe dhe se po tenton ta paraqesë si ligj në favor të mërgatës shqiptare.

Në një postim, Kica-Xhelili tha se ky është “ligji i vetëm” që, sipas saj, Lista Serbe e ka votuar bashkë me VV-në, ndërsa shtoi se qytetarëve po u servohet propagandë për të fshehur pasojat reale të këtij vendimi.

“Ligji i VETËM që Lista Serbe e votoi bashkë me VV, është ky. Sot tentojnë me ju shitë mjegull që kjo po bëhet për mërgatën tonë, por kjo është plotësisht propagandë”, ka deklaruar ajo.

Sipas Kica-Xhelilit, ligji u hap rrugë personave serbë që dikur kishin uzurpuar prona e banesa në Kosovë, që të përfitojnë shtetësi dhe të drejtë vote.

“Ky ligj ua mundëson të gjithë serbëve e ‘izbeglicave’ që uzurponin banesat e pronat tona, sot ta marrin nënshtetësinë bashkë me fëmijë, nipa e mbesa, e pastaj të votojnë për Listën Serbe”, u shpreh kandidatja e LDK-së.

Ajo shtoi se, sipas saj, përfituesit e këtij ligji do të mund të marrin edhe pensione e shtesa nga Kosova, derisa akuzoi pushtetin për fshehje të së vërtetës përmes propagandës politike.

“Kjo është çka po mundohen me fsheh nga ju. Kjo është pse investojnë në propagandë”, theksoi Kica-Xhelili.