Gazetari saudit
“Khashoggi mund të ketë regjistruar vdekjen e tij në Apple Watch”
Njoftimet e medias thonë se gazetari saudit Jamal Khashoggi mund të ketë regjistruar vdekjen e tij në orën inteligjente Apple Watch.
Thuhet se Khashoggi ka aktivizuar regjistrimin e zërit në pajisjen e tij pasi hyri në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor, ku shkoi të merrte një dokument që duhej për martesën e tij.
Ora raportohet të ketë qenë e lidhur me iCloud dhe telefonin celular që ai e la me të fejuarën e tij para se të hyjë në konsullatë. E fejuara e tij thotë se priti që Khashoggi të dilte nga ndërtesa, por kjo nuk ndodhi, raporton VOA.
Raportet thonë se ora regjistroi jo vetëm marrjen në pyetje dhe torturën e Khashoggit, por edhe vrasjen e tij.
Khashoggi, i cili ishte banor i Shteteve të Bashkuara, shkruante për The Washington Post dhe ishin kritikë ndaj Arabisë Saudite.
Presidenti Donald Trump ka premtuar të flasë personalisht me mbretin Salman të Arabisë Saudite për të diskutuar atë që ai e quajti “situatë e tmerrshme në Turqi”. Ai u tha gazetarëve në Cincinnati, Ohio se Shtetet e Bashkuara do të zbulojnë se çfarë ndodhi me Khashoggin.
Washington Posti njoftoi më parë këtë javë se qeveria turke informoi zyrtarët amerikanë se kishte një regjistrim në video që provonte se Khashoggi u vra brenda konsullatës.
Zyrtarët sauditë kanë mohuar ndonjë përfshirje në zhdukjen e Khashoggit dhe thanë se ai u largua nga konsullata pak pas hyrjes. Ministri i Brendshëm Saudit, Princi Abdel Aziz bin Saud bin Nayef i ka quajtur njoftimet se qeveria urdhëroi vrasjen e Khashoggit “gënjeshtra dhe akuza të pabaza”.