KGjK

KGjK cakton komisionet për zgjedhjen e anëtarëve të rinj

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 255-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Sipas komunikatës nga KGjK, Këshilli, shqyrtoi kërkesën e drejtorit e SKGjK-së për lejimin e shtesave të TI-ve për një numër të caktuar të zyrtarëve të TI-ve të KGjK dhe gjykatave, të cilët si pasojë e mos funksionimit të Komisionit të MAP, kanë mbetur të pa përfshirë në listë dhe dallojnë nga kolegët e tyre. Gjithashtu, për harmonizim të pagave të TI-ve të KGjK-së me ata të KPK-së.

Anëtarët e Këshillit, shqyrtuan dhe aprovuan kërkesën e kryetarit të Gjykatës Supreme për caktimin e gjyqtares Mejreme Memaj, si nënkryetare të kësaj gjykate.

Në vijim, anëtarët e KGjK-së, emëruan anëtarin e rregullt të Panelit për Lirim me Kusht të deleguar nga Gjykata e Apelit si dhe anëtarin rezervë të deleguar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Po në këtë takim, Këshilli caktoi komisionet për zgjedhjen e anëtarëve të KGjK-së nga Gjykatat Themelore si dhe datën 8 qershor 2021 për Gj.Th.Prishtinë dhe Gj.Th.Ferizaj, 9 qershor 2021 për Gj.Th.Pejë, dhe Gj.Th.Prizren, 10 qershor 2021 për Gj.Th.Gjakovë dhe Gj.Th.Gjilan, Ndërsa, më datë 21 qershor 2021 për mbledhjen e zgjedhjeve të përgjithshme të anëtarëve. Lidhur me këtë çështje, u aprovua edhe dokumentacioni i nevojshëm për këtë proces.

Anëtarët e KGjK-së, aprovuan shpalljen e konkursit për gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Gjilan – Dega në Novobërdë.

Po ashtu, anëtarët caktuan gjyqtarët në listën e Paneleve Hetimore në nivelin e të gjitha gjykatave.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dyer të mbyllura dhe shqyrtoi dy (2) raste disiplinore.