KFOR-i vendoset për rreth dy javë në Jarinjë dhe Bërnjak

Pa dy ditësh diskutimi në kuadër të dialogut në Bruksel është arritur marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve të cilat hyjnë në territorin e Kosovës.

Në marrëveshje theksohet se Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës të vendosura aktualisht në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak do të hiqen njëkohësisht me barrikadat që janë vendosur në rrugë.

Largimi bëhet më 2 tetor 2021, në ora 08:00 dhe duke përfunduar jo më vonë se në ora 16:00.

“KFOR-i do të vendoset në Jarinjë dhe Bërnjak para fillimit të largimit të njëkohshëm dhe do të qëndrojë për rreth dy javë për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes”, thuhet ndër të tjerash në marrëveshjen e publikuar nga i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.