KFOR-i i përgjigjet Vuçiqit, në Kosovë situata është e qetë

Situata aktuale e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe nën kontroll, i tha gazetës “Danas” të Beogradit zëdhënësi i KFOR-it, Pio Sabeta.

“KFOR-i po punon në bashkëpunim të ngushtë me organizata vendëse e ndërkombëtare të sigurisë. Po pati kërcënim të çfarëdo lloji për mundësinë e shkeljes së situatës së sigurisë, KFOR-i është i gatshëm të miratojë masa të domosdoshme për ruajtjen e sigurisë në Kosovë” tha Sabeta duke iu përgjigjur deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, sipas të cilit ka mundësi për incidente në Kosovë gjatë vjeshtës.

I pyetur nëse KFOR-i ka njohuri në lidhje organizatën terroriste shqiptare B-13, për të cilën disa media në Serbi pohojnë se ka në plan të sulmojë serbët në Mitrovicën veriore, Sabeta u përgjigj se KFOR-i po e ndjek me vigjilencë dhe në vazhdimësi situatën.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, në një bisedë për TV Prva, deklaroi se nuk përjashton mundësinë e incidenteve në Kosovë, “porse nuk do të ketë zbatim të planit të B-13, meqë Serbia nuk do të lejojë pogrom ose vrasje të serbëve”.

Sipas Vuçiqit, qëllim strategjik i shqiptarëve të Kosovës që të mbisundojnë hapësirën e pjesës veriore të Kosovës. “Na pret një vjeshtë e rëndë sa i përket çështjes së Kosovës… Nuk dihet se me kë, as për çka mund të bisedohet me Prishtinën… Askush nuk po e kupton se taksat nuk mund të mbijetojnë”, është shprehur Vuçiq.

Në përputhje me mandatin në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, KFOR-i “nuk ka kurrfarë roli në sundimi e të drejtës ose zbatimin e ligjit në Kosovë dhe nuk është i përfshirë në luftën kundër terrorizmit, meqë kjo është jashtëp mandatit të tij, por KFOR-i e ndjek me vigjilencë dhe pa ndërprerë situatën”, u shpreh Sabeta.

Ai u përgjigj në mënyrë pohuese në pyetjen nëse KFOR-i është i gatshëm t’u garantojë siguri banorëve të Kosovës në ditën e zgjedhjeve.

Sabeta tha se KFOR-i “ kontribuon për mbajtjen e një ambienti të sigurt e të qëndrueshëm dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë të paanshme, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike dhe se mbetet i përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”.

“KFOR-i do të vazhdojë të veprojë, duke bashkëpunuar ngusht me organizatat vendore e ndërkombëtare të sigurisë, në ditën e zgjedhjeve”, i ka thënë Sabeta gazetës së Beogradit, “Danas”.

loading…