Këto janë të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë Hoti

Sot është mbajtur mbledhja e radhës e Qeverisë së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti. Në këtë mbledhje u morën disa vendime duke bërë miratimin e disa projektligjeve, rregulloreve dhe dokumenteve.

Ky është njoftimi i plotë nga zyra e kryeministrit:

Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga Kryeministri, Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar projektligje, rregullore, vendime, koncept dokumente dhe dokumente të tjera nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë.

Në hapje të mbledhjes, me kërkesë të Kryeministrit, Ministri i Punëve të Brendshme, ka njoftuar kabinetin qeveritar për aksionin e Policisë së Kosovës kundër krimit dhe veprimtarisë ilegale në Karaçevë dhe në disa vende të tjera të Kosovës. Ministri Agim Veliu ka theksuar se aksioni ka qenë i planifikuar dhe përgatitur pas grumbullimit të dëshmive dhe provave për zhvillimin e aktiviteteve të jashtëligjshme në këto vende. Në këtë aksion janë arrestuar 37 persona, janë konfiskuar shumë prova materiale të veprimtarisë ilegale dhe janë rrënuar 12 objekte. Në mesin e të arrestuarve janë edhe 12 zyrtarë policorë. Ministri Veliu ka shprehur vendosmërinë e vazhdimit të luftës kundër krimit dhe çdo veprimtarie joligjore në Republikën e Kosovës.

Vendimi për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë është miratuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Me plotësim ndryshimet e Ligjit rregullohet statusi juridik i bashkësive fetare në Republikën e Kosovës dhe njihen 6 bashkësi fetare në Republikën e Kosovës:
– Bashkësia Islame e Kosovës;
– Kisha Ortodokse Serbe;
– Kisha Katolike;
– Bashkësia e Besimit Hebre;
– Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës;
– Bashkësia e Tarikateve të Kosovës.

Dy rregullore janë miratuar në mbledhjen e sotme:
– Rregullorja për procedurën e vlerësimit të realizimit të rezultateve në punë të nëpunësve civilë dhe nëpunësve të shërbimeve publike. Kjo rregullore përcakton rregullat, kriteret, metodologjinë dhe procedurat për vlerësimin e rezultateve në punë të nëpunësve civilë dhe nëpunësve të shërbimeve publike.
– Rregullorja për integrimin e personave të riatdhesuar, e cila përcakton organet vendimmarrëse dhe koordinuese për menaxhimin e procesit të ri integrimit si dhe procedurat dhe kriteret e përfitimit nga skemat e ri integrimit.

Qeveria ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë nr. 05/15 të datës 22 korrik 2020, sipas të cilit në vend të z.Burim Rreci, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, caktohet z. Bekim Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Regjistrimit Civil, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Është miratuar edhe vendimi për Zyrën e Koordinatorit Shtetëror për Dialog me Serbinë, e cila përcakton pagën e Koordinatorit Shtetëror për Dialog me Serbinë të barasvlershme me pagën e Zëvendësministrit. Vendimi rregullon edhe kompensimin për ndihmësit (asistentët) profesional të përkohshëm të Koordinatorit Shtetëror për Dialog me Serbinë, kompensohen ngjashëm me pozitën e asistentit/es së Kryeministrit. Koordinatori, mund të angazhojë ekspertë të përkohshëm për tema specifike, të cilët paguhen sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë edhe kompensimin dhe shpenzimet e udhëtimit duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ 07/2004, dhe Vendimit të Ministrit të Financave Nr. 30/2018, të datës 19 qershor 2018 për tarifat e rishikuara për udhëtime jashtë vendit.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për themelimin e Këshilli Ndërministror për Ujërat, si trup koordinues dhe vendimmarrës që shqyrton çështjet sistemore të administrimit me ujëra, harmonizimin e nevojave dhe interesave të ndryshme, si dhe propozon masat për zhvillimin, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e resurseve dhe sistemit ujor të Kosovës, i cili do të ketë këtë përbërje:
1.1. Kryeministri i Republikës së Kosovës kryesues;
1.2. Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit anëtar/e;
1.3. Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural anëtar/e;
1.4. Ministri i Financave anëtar/e;
1.5. Ministri i Shëndetësisë anëtar/e.

70 mijë euro ka ndarë Qeveria e Republikës së Kosovës në emër të ndihmës për blerjen e librave dhe materialeve shkollore për nevojat e nxënësve të Komunës së Bujanovcit, Komunës së Medvegjes dhe Komunës së Preshevës.

Ndërsa, me vendimi tjetër të miratuar nga kabineti qeveritar janë ndarë dyqind mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e katër (200,954) euro për pagesën e faturës së primit bruto të sigurimit për muajin gusht 2020, bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit dhe të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 14.09.2020.

Me propozimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, është miratuar vendimi për kompensimin financiar të njëhershëm për delegatët e legjislaturës 1990, të cilët kanë marrë pjesë në Mbledhjen e 2 korrikut 1990 dhe kanë vazhduar pjesëmarrjen në mbledhjet e Kuvendit deri më 24 maj 1992.
Qeveria ka miratuar tri Koncept-dokumente:
– Koncept – dokumenti për fushën e punimeve nga metalet e çmuara i cili rekomandon plotësim ndryshimet e Ligjit për punimet e metaleve të çmuara, në mënyrë që të shmangen vështirësitë dhe pengesat e evidentuara në zbatimin e këtij Ligji.
– Koncept – dokumenti për fushën e dërgimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit i cili konform statusit aktual dhe procesit të transformimit të FSK-së, sugjeron miratimin e rregullativës ligjore për këtë fushë.
– Koncept – dokumenti për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Republikën e Kosovës i cili rekomandon plotësimin dhe ndryshimin Ligjit për regjistrimin popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Republikën e Kosovës deri në regjistrimin e rregullt të popullsisë vitin e ardhshëm.

Qeveria ka miratuar vendimin për aprovimin e nismës për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për financimin dhe drejtimin e zbatimit të projektit Heras+/ Arsimi i lartë, Hulumtimi dhe Shkenca Aplikative në Kosovë mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA).

Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe nisma për lidhjen e Protokollit për ndryshim dhe shtesë në Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, për Bashkëpunimin të Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë.

Shpend Tërdevaj është emëruar Sekretar i Përgjithshëm në Këshillin e Sigurisë së Kosovës në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Mandati i Sekretarit të Përgjithshëm zgjatë katër vjet.
Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj – Halimi ka njoftuar kabinetin qeveritar për përgatitjet që janë duke u bërë për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që do të mbahet më 25 shtator në Shkodër.