Masat e reja

Këto janë të gjitha masat e reja që pritet të merren pas pak nga Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës është duke e mbajtur mbledhjen e radhës, ku do të vendoset për masat e reja kufizuese për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Gazeta Sinjali e ka siguruar propozim – vendimin me të gjitha masat që pritet të merren në këtë mbledhje, e cila po mbahet në mënyrë elektronike.

Njëra nga masat e reja do të jetë edhe zgovëlimi për një orë e gjysmë i kufizimit të lëvizjes së njerëzve dhe i funksionimit të bizneseve të gastronomisë. Me vendimin e ri, bizneseve të gastronomisë ju ndalohet funksionimi nga ora 22:30 deri në 05:00 në gjithë territorin e Kosovës.

Jashtë këtij orari, siç ishte edhe në vendimin e kaluar, mund të punojnë vetëm në hapësira të hapura duke respektuar distancën prej 1.5 metra hapësirë ndërmjet tavolinave, si dhe shërbimet take-away (merre me vete), gjithnjë në përputhje me udhëzimet e përcaktuara në Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19.

Namazi i Kurban Bajramit dhe ceremonitë tjera fetare do të ndalohen me vendimin e ri. Po ashtu, do të ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 5 persona në sheshe publike, parqe dhe të ngjashme, si dhe të gjitha tubimet publike, përfshirë ahengjet familjare private.

Nga data 30 korrik, të gjithë shtetasit e Kosovës që vijnë nga vendet me risk të lartë të infeksionit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, me vendimin e ri do të obligohen të vetizolohen për 7 ditë në shtëpitë/banesat e tyre.

Në anën tjetër, të gjithë shtetasit e Kosovës (përfshirë ata me leje qëndrim dhe leje qëndrim të përkohshëm) që dalin jashtë territorit të vendit dhe nuk kthehen brenda 48 orëve obligohen të dëshmojnë se janë të shëndoshë nga COVID-19 me testin RT-PCR për COVID-19, në të kundërtën obligohen të vetizolohen për 7 ditë.

Më poshtë gjeni propozim – vendimin me të gjitha masat e reja kufizuese që pritet të merren pas pak.