Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të martën 1 person të infektuar dhe 87 persona të shëruar nga koronavirusi. Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 856 persona të infektuar, 490 të shëruar dhe 26 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19.

“Rasti pozitiv është rast kontakti nga: komuna e Mitrovicës 1 rast (sipas vendbanimit: 1 rast Rekë)”, është thënë në njoftim.

Përgjatë 24 orëve të fundit, ky Institut ka thënë se janë kryer 220 teste për këtë virus.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë janë regjistruar 856 persona të infektuar, 490 të shëruar dhe 26 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

E infektologu Valbon Krasniqi ka vlerësuar se Kosova është drejt fundit të pandemisë së koronavirusit.

“Këtë e themi me një kujdes të matur kur themi drejt fundit të epidemisë, por trendi është jashtëzakonisht pozitiv, sot në mesin e këtyre të shëruarve është edhe gruaja shtatzënë”, tha Krasniqi.

Ai tutje tregoi se për herë të parë në Kosovë, që prej shfaqjes së koronavirusit, numri i të shëruarve është më i lartë se i personave aktivë me COVID-19.

“Kemi vetëm 350 raste aktive. Disa nga ta një numër i vogël në klinikë të shtirë dhe shumica nëpër shtëpitë e tyre”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër Mikrobiologu Lul Raka, ka thënë se vala e dytë e koronavirusit është e pashmangshme, teksa e theksuar rëndësinë e testeve serologjike në këtë drejtim.

Ai ka shpjeguar se këto teste tregojnë se sa për qind e popullatës e ka pasur infeksionin me COVID-19.

“Momentalisht është me rëndësi të dihet kush është i infektuar. Por me rënien e numrit të rasteve, Kosova do të duhet ta dijë se sa persona e kanë kaluar pa simptome”, ka thënë ai, duke thënë se përhapja nga personat asimptomatikë ka qenë “benzina” që i ka dhënë hov pandemisë në botë.

Megjithatë, ai ka thënë se deri në valën e dytë, secili shtet i ka afat katër deri në pesë muaj, për t’u përgatitur “me teste, me respirator dhe gjithçka që mungon”.

“Dhe përgjigja ka me qenë shumë aktive dhe shumë më agresive”, ka thënë ai.

Sipas Rakës, element i disfavorshëm në sezonin e ardhshëm është fakti se koronavirusi dhe ai i gripit sezonal përkojnë në të njëjtën kohë. Ai megjithatë ka shtuar se testet duhet të vazhdojnë edhe pas zbutjes së masave.

“Një prej parakushteteve për lirimin e masave është që të ketë kapacitete testuese në vazhdim”, ka thënë Raka, duke shtuar se me rëndësi është që të kuptohet se lirimi nuk nënkupton dalje masive.