Këto janë kompanitë e interesuara për blerjen e Telekomit

Katër kompani ndërkombëtare janë interesuar për të privatizuar Telekomin e Kosovës, përkundër që nuk kishte një proces të hapur për shitjen e kësaj ndërmarrjeje.

Kërkesën për privatizim të Telekomit këto kompani e kanë paraqitur në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

“Deri më tani interesim për privatizimin e Telekomit kanë shprehur disa kompani ndërkombëtare, si: A1 Telekom Austria, Orange, Rockaway Capital i PFF Group dhe Artiller One”, thuhet në përgjigjet e kësaj ministrie.

MZhE-ja tutje ka shpjeguar se fillimisht duhet të plotësohen disa parakushte para se Telekomi të shitet.

“Ristrukturimi i ndërmarrjes me asistencë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me të cilët Qeveria e Kosovës, do të punojnë ngushtë për përgatitje të këtij procesi privatizues”, thuhet në përgjigjen e MZHE-së.

Në ministri kanë thënë se të gjitha kompanitë do të kenë qasje të barabartë në procesin e privatizimit të Telekomit.

Kompania më e zëshme në garë për të blerë Telekomin e Kosovës ka qenë kompania Artillery One, pronar i të cilës është Daniel Peter Cannon. Kryeministri Haradinaj i ka pritur në takim krerët e kësaj kompanie vetëm një ditë para se qeveria e Kosovës të vendos për shitjen e Telekomit të Kosovës.

Senton Kaçaniku, përfaqësues i kompanisë “Artillery One” ka thënë për KALLXO.com se kanë kërkuar nga MZHE-ja qasje në të dhënat financiare të Telekomit, në mënyrë që të vlerësojnë vlerën e kësaj kompanie.

Sipas Kaçanikut, kompania ka qenë e interesuar të blejë deri në 75 % të aksioneve të Telekomit, përmes çfarëdo procedure që do ta sugjeronte MZhE-ja dhe Qeveria.

“Vetëm pas këtij procesi të ‘due diligence’, ne do të mund të vazhdonim më tutje me një ofertë specifike për blerje të 75% të aksioneve të Telekomit të Kosovës përmes cilësdo procedurë që pritej ta sugjeronte MZhE, pra kemi qentë të hapur qoftë për aplikim për status të investitorit strategjik, qoftë përmes cilësdo procedurë që Qeveria e Kosovës do ta përcaktonte me kohë”, ka deklaruar Kaçaniku.

Në anën tjetër Ministria e Zhvillimit Ekonomik, për KALLXO.COM, ka thënë se ‘Artillery One’ kishte kërkuar eksluzivitet në procesin e privatizimit dhe komercializimit.

“Subjekti në fjalë (Artillery One) ka dërguar në Ministrin e Zhvillimit Ekonomik një shprehje të interesit për të ndërmarrë një analizë mbi veprimtarinë financiare, strukturën organizative dhe asaj te kapitalit si dhe asetet ekonomike dhe ato te pronësisë intelektuale të kësaj ndërmarrje. Ndër të tjera në shprehjen e interesit të njëjtit kanë kërkuar ekskluzivitet gjatë fazës së analizës dhe përparësi absolute në gjithsecilin proces të privatizimit ose komercializimit të ndërmarrjes në fjalë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas MZhE-së, Telekomi në këtë fazë nuk është i hapur për privatizim ose komercializim. Sipas MZhE-së kërkesa e ‘Artillery One’ e cenon bazën ligjore si vlera të ekonomisë së lirë të tregut dhe konkurrencës.

Pas vendimit të qeverisë së Kosovës për privatizim të Telekomit, Drejtori i kompanisë “Artillery One” për Kosovë, Senton Kaçaniku thotë se mbeten të interesuar për të privatizuar Telekomin e Kosovës.

Vazhdimi e interesimit të kësaj kompanie, ai e ka lidhur me takimin që përfaqësuesit e kompanisë kanë pasur me kryeministrin Haradinaj.

Më parë, Artillery One kishte deklaruar se tërhiqet nga interesimi për privatizim të Telekomit me arsyetimin se nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.