Këto janë drejtimet më të kërkuara në Universitetin e Prishtinës këtë vit

Universiteti i Prishtinës, vetëm 3 ditë më parë ka hapur konkursin për pranimin e studentëve të rinjë.

Në njoftimin e UP-së, thuhej se në afatin e parë të konkursit pritet të pranohen rreth 5 mijë e 497 studentë.

“Për të gjithë të interesuarit, UP-ja numëron dhjetëra programe studimore në 14 fakultete, për t’u bërë pjesë e të cilave mund të aplikoni deri më datë 19 korrik 2019”, thuhej në njoftimin e UP-së.

Në anën tjetër, profesori i Universitetit të Prishtinës, Blerim Rexha përmes një postimi në facebook ka treguar programet në të cilat studentët kanë shprehur më së shumti interes, shkruan Insajderi.

Drejtimi me më së shumti aplikues del të jetë “Mjekësi e Përgjithshme”, me gjithësej 888 studentë të interesuar për studimin e kësaj fushe.

Në vendin e dytë radhitet drejtimi “Juridik”, ku numri i studentëve që kanë aplikuar është 421. Kurse vendin e tretë për nga aplikimi i studentëve e zë drejtimi “Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike”, ku numri i aplikuesve në vetëm 3 ditë është 402.