Këto janë 6 konkluzionet për të cilat ranë dakord të gjithë presidentët në Samitin e Brdo-Brijunit

Ka përfunduar Samiti i Brdo-Brijunit në Slloveni, ku morri pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmanit. Për shkak të mospajtimeve, deklarata e përbashkët e presidentëve të rajonit nuk është miratuar, megjithatë dritë e gjelbër iu dha disa konkluzioneve, mes tyre, liberalizimi i vizave për Kosovën dhe dhënia e statusit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën. Ndërkohë, u kërkua nga Bashkimi Evropian që të ndihmojë Ballkanin Perëndimor për krizën energjetike dhe sigurimin e ushqimit.

Dy nikoqirët e samitit, presidentit slloven, Borut Pahor dhe ai kroat, Zoran Milanoviq, në konferencën e përbashkët për media përmenden edhe dialogun Kosovë-Serbi, për çka u kërkua që çështjet e hapura të zgjidhen në mirëbesim.

Derisa presidenti kroat, Milanoviq e tha hapur se Serbia duhet të njeh pavarësinë e Kosovës, ai slloven u shpreh më i rezervuar.

Mes tjerash, dy presidentët kërkuan nga Bashkimi Evropian që të përshpejtojnë procesin e integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Përndryshe, këto janë 6 konkluzionet e arritura në këtë samit:

1. Ritheksuam rëndësinë e zgjerimit të BE-së si kontributi më i drejtpërdrejtë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, zgjerimi është më shumë se kurrë gjeopolitik.

2. Ne bëjmë thirrje për një proces më të shpejtë të integrimit në BE, në përputhje me kushtet e njohura për anëtarësim.

3. Ne bëjmë thirrje për dhënien e statusit të kandidatit për Bosnjë dhe Hercegovinën deri në fund të vitit 2022.

4. Ne bëjmë thirrje për liberalizimin e vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit 2022.

5. I bëjmë thirrje BE-së të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor në zbutjen e pasojave të krizës ekonomike dhe energjetike.

6. Ne afirmojmë përkushtimin tonë për dialogun si e vetmja mënyrë për të kapërcyer dallimet dhe për të hapur çështjet në rajon. /Kp