Këtë vit më pak aksidente në Kosovë: Bie edhe numri i atyre me fatalitet

Në periudhën janar-nëntor 2020, ka dukshëm më pak aksidente se në vitin 2019. Në vitin e kaluar kishte në total 14552 aksidente, ndërsa tani në vitin 2020 në periudhën janar-nëntor ka 11976 aksidente, apo 17.7% më pak.

Gjatë ditës së sotme Metro ka dërguar disa pyetje në Policinë e Kosovës, në lidhje me krahasimin e aksidenteve të periudhës janar-nëntor 2019 dhe janar-nëntor 2020.

Në përgjigjet e dhëna nga Policia e Kosovës, del që në këtë vit aksidente ka pasur më pak në rrugët e Kosovës.

“Policia e Kosovës përmes planifikimeve operacionale në vazhdimësi angazhohet për një siguri më të madhe në trafik. Falë angazhimeve plicore dhe sensibilizimit të qytetarëve drejt respektimit të shenjave në trafik, si dhe zvogëlimit të qarkullit e cila ka qenë pjesë gjatë pandemisë, janë arritur rezultate pozitive në rënien e aksidenteve në përgjithësi, e në veçanti të atyre me pasoja fatale”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës dhënë për Metron.

Gjatë periudhës janar-nëntor të vitit 2019 në total kanë qenë 14552 aksidente, ndërsa këtë vit ky numër është më i vogël për 17.7%, apo në total 11976 aksidente.

Nga këto aksidente këtë vit kanë qenë 4711 me lëndime, derisa e kanë pësuar 8814 persona me lëndime.

Aksidente me dëme vitin e kaluar kanë qenë 8903, ndërsa këtë viti 7198 apo 19.15% më pak.

Në periudhën janar-nëntor 2019 gjithsej kanë ndodhur 90 aksidente fatale, ndërsa këtë vit kanë ndodhur 67, që i bie 25.56% më pak. Në këto aksidente këtë vit e kanë pësuar 72 persona, ku e kanë gjetur vdekjen, derisa ky numër vitin e kaluar ka qenë 103.

Policia e Kosovës vazhdon të apeloj tek të gjithë qytetarët, që të respektojnë dispozitat ligjore, të respektojnë shenjat e trafikut, si dhe të ju përmbahen kushteve atmosferike, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe krijimit të një sigurie edhe më të lart në trafik.

Më poshtë raporti i plotë për vitin 2019 dhe 2020.