Aksioni i realizuar mëngjesin e sotëm nga Policia dhe Prokuroria përfundoi me arrestimin e katër të dyshuarve për ‘fajde’ dhe ‘organizim të skemave piramidale ose bixhozit të paligjshëm’’.

Burime të Ballkani.info bëjnë të ditur se personat e arrestuar në këtë aksion të madh të Policisë së Kosovës: Sevdim Abazi, Altin Abazi, Artur Gërbeshi dhe Eduard Gërbeshi

Sipas njoftimit të policisë, të dyshuarit në këtë rast, përmes formave të ndryshme të kanosjes, në vazhdimësi kanë detyruar viktimën që të veprojë kundër pasurisë së tij, duke përfituar kështu në formë të kundërligjshme shuma të ndryshme të parave si interes nga fajdeja, e po ashtu të dyshuarit kanë ushtruar edhe veprimtarinë e bixhozit të kundërligjshëm.

Gjatë zbatimit të urdhërkontrollit janë sekuestruar dëshmi të ndryshme si: shuma të konsiderueshme të parave kesh, 5 automjete, telefona celularë, pajisje të ndryshme elektronike.

Katër personave të dyshuar A. A., S. A., E. G. dhe A. G., pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, iu caktohet masa e ndalimit për 48 orë.

Pamje nga aksioni i Policisë dhe Prokurorisë: